Në periudhën që vijon, Qeveria deri në Kuvend do ta dorëzojë propozimin me amendamentet për ndryshimet kushtetuese dhe pastaj do të fillojë numërimi mbrapsht për procesin e ndryshimeve kushtetuese. Ministri i Jashtëm Bujar Osmani tha se shanset për të arritur marrëveshje me opozitën janë deri në momentin kur në Kuvend do të votohet nevoja për miratimin e ndryshimeve kushtetuese, e deri atëherë shtoi se po punojnë në dy drejtime që të ndryshimet kushtetuese të jenë të suksesshme.
“Ne po punojmë në dy rrugë paralele, me opozitën në tërësi dhe kuptohet me deputetët në Kuvend kur të hapet debati publik në komisione. Që do të thotë se deri në ditën kur në seancë plenare do të jetë votimi i parë, opsionet janë të hapura që të ketë marrëveshje me opozitën në lidhje me ndryshimet kushtetuese duke përfshirë këtu edhe planin 3 pikësh që e prezantova dje”, tha Bujar Osmani, ministër i Jashtëm.
Ndërkaq Osmani siguroi se Bullgaria as tani e as në të ardhmen nuk mund të vendose më kushte të reja ndaj Maqedonisë.
“Bullgaria nuk mund të vendosë kushte të reja për shkak se korniza negociuese është e mbyllur. Gjithçka që ka, është aty. Hapje të kornizës negociuese nuk mund të bëhet as me kërkesë të opozitës tonë e as opozitës tuaj”, shtoi Osmani.
Nga LSDM vazhdojnë ta inkurajojnë VMRO-DPMNE-në që të vazhdojnë dialogu mes deputetëve në Kuvend më qëllim gjetjen e një zgjidhjeje të pranueshme për të dy palët.
“Është thelbësore që dialogu të vazhdojë më tutje dhe nëpërmjet bisedimeve të gjendet model adekuat për ndryshimet kushtetuese i cili do të jetë në suaza të kornizës negociuese. Në vend se nëpërmjet mediave duhet të ulemi bashkë për interes të qytetarëve dhe të ardhmen e vendit tonë”, theksoi marija georgievka, deputete e LSDM-së.
Por nga VMRO-DPMNE thonë se nuk do ta lëvizin as gishtin nëse LSDM nuk pranon ndonjërin propozim të tyrin.
“Nëse Kovaçevski nuk deklarohet se cili nga dy propozimet për të është i pranueshëm nuk ka nevojë për asnjë lloj bisedime të mëtutjeshme mes VMRO-DPMNE dhe LSD. Nëse Kovaçevski deklarohet dhe pranon njërin nga dy propozimet atëherë hapi i ardhshëm është takim i ri liderësh. Pa pasur përgjigje konkrete, VMRO-DPMNE nuk e lëviz as gishtin”, tha Mile Lefkov, deputet i VMRO-DPMNE-së.
Ndërkaq VMRO-DPMNE në këmbim të mbështetjes për ndryshimet kushtetuese propozon qeveri të zgjeruar pa BDI-në dhe miratimin e ndryshimeve kushtetuese që do të hyjë në fuqi me anëtarësimin e plotë në BE si dhe opsioni i dytë, zgjedhje të parakohshme në vjeshtë dhe garanci nga institucionet evropiane për mbrojtjen e identitetit maqedonas, fonde dhe zbatim të tre vendimeve të Gjykatës së Strasburgut për të drejtat e maqedonasve në Bullgari.
