Osmani për marrëveshjen për shtetësinë: Kishte spekulime për numrin që të përfitohen pikë politike

TË FUNDIT

“Në asnjë mënyrë nuk duhet që kjo temë të kidnapohet në përplasjet ditore politike, veçanërisht në kushte të krizës dhe pandemisë me qëllim që të zgjidhen çështje të tjera gjithashtu të rëndësishme”. Kjo është porosia që e dërgoi sot, ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani pas arritjes së marrëveshjes për Ligjin për shtetësi mes pushtetit dhe opozitës shqiptare.

Ka vlerësuar, se kishte spekulime për numrin e qytetarëve të cilët nuk kanë shtetësi, e cila sipas tij, kishte për qëllim që të përfitohet politikisht dhe jo të zgjidhë fatin e qytetarëve pa shtetësi.

Sipas Osmanit, janë 1.300 aplikime të pazgjidhura.

“Është shumë me rëndësi të shihet problemi para se t’i qasemi zgjidhjes së tij, sepse kishte spekulime të ndryshme, për 70 mijë, për 40 mijë, për 50 mijë, me qëllim që tema të bëhet pjesë e përfitimit të pikëve politike ditore dhe jo për të zgjidhur fatin e qytetarëve. Do të thotë flasim për 1.300 aplikime të pazgjidhura, të cilat për shkaqe të ndryshme janë ende të pazgjidhura. Një pjesë për shkak të burokracisë, një pjesë për shkak të keqinterpretimit të ligjeve dhe kështu me radhë. Sërish, edhe ato është mirë të zgjidhen. Sërish, nuk janë pak 1.300 qytetarë të mos kenë dokumente, kurse njerëzit jetojnë këtu dhe nuk mund t’i shfrytëzojnë të drejtat themelore”, deklaroi Osmani, transmeton TV21.

Ndërkaq, dje në takimin e tretë mes kryeministri Zoran Zaev dhe liderëve të opozitës shqiptare, Ziadin Sela të Aleancës për Shqiptarët dhe Afrim Gashi të Alternativës u tha se është arritur marrëveshje për Ligjin për shtetësi, megjithëse nuk u kumtuan detaje për përmbajtjen e tij, derisa marrëveshja të marrë formën e zgjidhjes ligjore.