Osmani për ardhjen e ekipit amerikan të sanksioneve: “Ne kemi kërkuar të na ndihmojnë kundër korrupsionit”

TË FUNDIT

Ministri i Jashtëm Bujar Osmani tha se vet Maqedonia ka kërkuar që SHBA-të të na ndihmojnë në luftën kundër korrupsionit. Nëse nuk do të fillonin bisedimet me BE-në, kisha frikë se do të mbetemi pa monitorim, prandaj kërkova nga SHBA që të na ndihmojnë me korrupsionin, u shpreh kryediplomati.  Megjithatë në deklaratën e Ageler ku thotë “vështrim më agresiv ndaj aktorëve të korruptuar, të kaluar dhe aktual”, Osmani shton se bëhet fjalë për vështrim gjithëpërfshirës të korrupsionit në vend dhe se mbështesin luftën e pa kompromis në të gjitha nivelet.

 “Mendoj se aty shkruan për aktorë të korruptuar që do të thotë se bëhet fjalë për një qasje gjithëpërfshirëse dhe unë e mbështes këtë qëndrim se korrupsioni në RMV nuk është në nivel të politikës, por në të gjithë sektorët e shoqërisë. Gjithkund ku qytetarët paraqiten në sportele dhe kërkojnë shërbime nga shteti ka elemente të korrupsionit. Asgjë nuk kemi bërë nëse kemi qasje selektive në këtë pjesë. Qasje gjithëpërfshirëse nga rojtari te dera deri të zyrtari më i lartë në shtet”, tha Bujar Osmani, ministër i Jashtëm.

Ambasadorja amerikane në vend, Anxhela Ageler, dje përmes Tëitterit ka treguar se në vend ka ardhur një ekip amerikan i sanksioneve për të parë se si qëndron puna me ndjekjet e të korruptuarve. Ageler në një intervistë në Sitel deklaroi se korrupsioni është sfida më e madhe me të cilët përballet Maqedonia.

 “Derisa po udhëtoj nëpër vend dhe flas me njerëz të rëndomtë, ata flasin për korrupsion gjithnjë kur duhet të vizitojnë mjekun, gjithnjë kur kërkojnë punë, gjithnjë kur fëmija i tyre duhet të regjistrohet në ndonjë shkollë. Sinqerisht, korrupsioni solli atë që unë mendoj se është katastrofë e vërtetë për këtë vend dhe që aq shumë të rinj nuk duan të qëndrojnë këtu”, theksoi Anxhela Ageler, ambasadore e SHBA-ve në RMV.

Edhe ministri i Brendshëm Spasovski ka komentuar deklaratën e Ageler, duke theksuar se MPB qëndron në dispozicion për çfarëdolloj aktiviteti që do ta luftonte korrupsionin.

 “Të gjithë ne duhet të jemi të shqetësuar se për atë se çka po na ndodh në shtet. Unë absolutisht e mbështes gjithë atë që e tha ambasadorja e SHBA-ve dhe faktorët e tjerë relevant. Duhet sa më shpejt gjithsecili prej nesh të bëj maksimumin me veprimet e tij që t’i vihet fundi korrupsionit dhe krimit në shtet”, pohoi Oliver Spasovski, ministër i Brendshëm.

Ambasadorja amerikane Ageler përfundoi se korrupsioni po i largon të rinjtë e këtij vendi dhe kjo është humbja më e madhe për Maqedoninë.