Çekia ka evidentuar numër ditor rekord prej 16,939 persona të infektuar me koronavirus në 24 orët e fundit, kumtoi sot Ministria çeke e Shëndetësisë.
Ky vend i Evropës Qendrore me 10,7 milionë banorë është një ndër vendet më të goditura më rëndë në Evropë sipas numrit të banorëve, me deri tani të regjistruar gjithsej 718.661 raste.
Deri më tani janë regjistruar gjithsej 11.580 raste të vdekjeve, 151 më shumë se ditën paraprake. Disa nga rastet e reja të vdekjeve ishin shtuar të mërkurën, ndërsa të tjerë në ditët paraprake.
Vendi pak i lehtësoi masat lidhur me biznesin në nëntor, por sërish duhej t’i ashpërsojë këtë muaj.
Ministria e Shëndetësisë dje u urdhëroi spitaleve ta ndërpresin pranimin e pacientëve për operacione të caktuara dhe ta rrisin kapacitetin për pacientët e infektuar me koronavirus, përfshirë edhe repartet për trajtim intensiv. Dje, numri i personave të shtruar në spitale me Kovid19 ishte 5.893, përfshirë edhe 845 persona të reparteve për trajtim intensiv./MIA
