Datë për zgjedhje nuk ka, por në prapavijë ka bisedime për arritjen e kompromisit rreth datës për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Nga LSDM thonë se zgjedhjet janë zgjidhje e jo problem në këtë moment.
“Për momentin nuk ka marrëveshje për takim të ri liderësh, mendoj se mund të thuhet se ka komunikim dhe ka përpjekje që të arrihet konsensus. Mes parimeve tona të shenjta është të kemi demokraci dhe është shumë e rëndësishme që të gjithë aktorët politik të dalin në atë mejdan zgjedhor”, tha Nikolla Dimitrov, LSDM.
Nga VMRO-DPMNE shtojnë se 60 ditë pas mbarimit të gjendjes së jashtëzakonshme nuk mund të ketë zgjedhje, ose, siç shtojnë, atëherë qëndrimet e Qeverisë dhe masat e sjella për korona virusin janë hipokrite.
“Zgjedhje nuk mund të ketë 60 ditë pas shfuqizimit të masës së jashtëzakonshme. Që do të thotë, nëse gjendja e jashtëzakonshme ndërpritet më 30 maj, më së voni deri më 30 korrik nuk mund të ketë zgjedhje”, tha Hristijan Mickoski, VMRO-DPMNE.
Nga VMRO-DPMNE shtojnë se Zaev vazhdon të vendosë karrierën e tij të trishtuar para shëndetit të qytetarëve dhe më tej angazhohet për zgjedhje të shpejta në të cilat në vend që të numërojmë votat, do të numërojmë rastet e reja dhe viktimat nga korona virusi.
Zaev nga Strumica dërgoi porosi se nevojiten zgjedhje të shpejta dhe deri në shtatorë institucione plotësisht funksionale të gatshme për valën e re të Kovid – 19.
“Zgjedhjet nevojiten që të sigurojmë institucione plotësisht funksionale që do të mbrojnë shëndetin e qytetarëve dhe që do të mundësojnë ripërtëritje të plotë të ekonomisë së vendit. Zgjedhjet duhet të mbahen në terminin e parë të mundshëm, në përputhje me mundësitë zgjedhore dhe gjendjen me epideminë”, tha Zoran Zaev, LSDM.
Gjatë javës së ardhshme duhet të mbajë takim edhe Këshilli për siguri nacionale ku do të vendoset se a ka nevojë për vazhdim të gjendjes së jashtëzakonshme e cila përfundon më 30 maj.
