“Unë si bijë jam nga Prishtina. Unë e kam pas burrin në Kosovë, atëherë ishim si të fejuar. Kam qenë si refugjate, si na quanin, e burri ka luftuar në Koshare në Kosovë. Nuk e dinim as ku shkojmë, as ku vijmë, e as kush po shpëton, kush ka mbetur në shtëpi. Më kujtohet babi im, thoshte më mirë të isha vrarë se kështu kur e lëshoj shtëpinë”, u shpreh Luljeta Samiu.
Kështu Luljeta Samiu e kujton vitin 1999, kur ishte vetëm 25 vjeçe. Të përndjekur nga regjimi i Millosheviqit, njëjtë si qindra e mijëra kosovarë, ajo bashkë me familjen përfunduan në kampin e refugjatëve në Bllacë.
“Tmerr ka qenë. Ka pasur një rast që një plak vdiq në tren. Prindërit, burrat, vëllezërit shqiptarë më shumë kishin frikë për femrat. Kur treni ndaloi këtu nga Hani i Elezit, u ndal treni dhe i shihnim se si policia bënte kështu me thika. Ka qenë… Me të vërtetë mendoj se jam si atë ditë. Është shumë emocionuese sot”, tha Luljeta Samiu.
Në po këtë vend që para 20 vitesh u bë strehë e refugjatëve, edhe sot me tren erdhën edhe shumë të tjerë kishin përjetuar ato ditë të vështira. Në përkujtim të kësaj, u vu gurthemeli i qendrës Memoriale “Bllaca 99”, e sipas Drejtorit i Institutit të Trashëgimisë Kulturore dhe Shpirtërore të Shqiptarëve, Skender Asani, kompleksi do të shtrihet edhe në territorin e Maqedonisë.
“Ne si institucion shtetëror, në Maqedoni veçmë e kemi zyrtarizuar si institucion, që do me thënë se aspekti juridik i një institucioni të tillë është zyrtarizuar. Pritet vetëm të ndahet trualli dhe të pasojnë fazat e mëtutjeshme. Ky kompleks nuk do të jetë vetëm këtë që e shihni këtu, por do të jetë edukues dhe hulumtues, sepse ne deri më tash nuk e kemi argumentuar ashtu siç duhet dhe nuk i kemi plasuar botës masakrat dhe gjenocidin që e kanë ushtruar të tjerët rreth nesh”, deklaroi Drejtori i ITSHKSH.
Asani shpreson që dy qeveritë do të gjejnë gjuhë të përbashkët që zona e ish-kampit të shpallet neutrale.
Përgatiti: Besir Arifi
