“Kështu duket objekti i Poliklinikës së Sarajit. Siç po shihet nga pamjet tabela është vendosur, nesër pritet të asfaltohet edhe rruga përpara poliklinikës, mirëpo se kur do të pajiset me aparaturë mjekësore, nuk dihet ende”, raporton gazetarja Almedina Ismajli.
Gjashtë muaj më parë nga qeveria informuan se pjesa ndërtimore ka përfunduar, mirëpo e njëjta ende nuk është gati për të pranuar pacientë. Banorët e Sarajit mezi presin të kenë ambulancë, vlerësojnë së është vonuar ndërtimi i këtij institucioni shëndetësor.
“Është vonuar, është vonuar. Tani ku kontrolloheni? Në Gjorçe”.
“Më shumë nëpër privatë, shko në të shtetit nuk të kontrollon askush edhe detyrohemi të shkojmë nëpër klinika privat. Mezi se e presim shpresoj të realizohet sa më shpejtë”.
Inxhinieri i kompanisë që bën ndërtimin e objektit na tha se rruga do të asfaltohet nesër. Mirëpo afat për aparaturën mjekësore nuk kemi nga Ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti, i cili është përgjegjës në këtë drejtim.
“Ne nuk mundemi për dy muaj të zgjidhim gjitha problemet, nuk kemi shkop magjik, por si¬ç e di Spitali i Sarajit është kah përfundimi, do të pajiset me mjete edhe së shpejti do të lëshohet në përdorim”, tha Fatmir Mexhiti, ministër i Shëndetësis.
Poliklinika rajonale në Saraj prej 1.600 m2 do të përfshijë shërbime si ambullantë ditore për mjekësi familjare, stomatologji, pediatri, laboratori, dhomë rengeni dhe farmaci.
E njëjta do të jetë pjesë e Qendrës Shëndetësore në Shkup dhe do t’i shërbejë gati 45 mijë banorëve të këtij rajoni të kryeqytetit të cilët nuk kanë asnjë poliklinikë në komunë, ndërsa ajo më e afërta është në komunën “Gjorçe Petrov”.
