Një pjesë e Tetovës mbetet pa ujë, qytetarët ankohen! Eco Guerilla: Dikush duhet të mbajë përgjegjësi

TË FUNDIT

Një defekt në vendin e quajtur  Leshnicë nga ku edhe furnizohet me ujë Tetova ka bërë që   një  pjesë e qytetit të ngelet pa ujë për pijë për më shumë se 48 orë.  Nga ndërmarrja publike komunale Tetova në një njoftim për qytetarët thonë se  defekti është në  gypin kryesor  dhe se nga dita e sotme kanë filluar edhe me restrikcion.

 “Për shkak të defektit serioz të shkaktuar në linjën e Leshnicës, uji në rezervuarët e qytetit pëson rënie drastike në një mesatare prej 150 l/s. Me qëllim të furnizimit të barabartë me ujë për pije në të gjitha pjesët kritike të qytetit, Ju informojmë se nga sot (e Mërkurë) 24.02.2021 NPK “TETOVA” Tetovë jemi të detyruar që të fillojmë me restrikcion të ujit për pije nga edhe atë nga ora 08:30 deri 11:30 si dhe pasdite nga 15:00 deri 18:00, kurse nga mesnata nga ora 00:00 deri në orën 05:00”, thonë nga NPK “Tetova” – Tetovë.

 Për mungesën e ujit për më shumë se 48 orë kanë reaguar edhe nga Eko Guerlina  duke  thënë se lejimi i ndërtimit të hidrometrave në  vendin e quajtur Leshnicë, ka bërë që mijëra qytetar të lihen pa ujë të pijshëm.

 “Defektet e shpeshta në rrjetin e porsandërtuar në Leshnicë lënë dyshime serioze për cilësinë e ndërtimit, ku shumë qytetarë kanë humbur besimin në seriozitetin e punëve që realizohen apo porositen nga Komuna e Tetovës. Duhet një komision hetimor nga ekspertë të pavarur të bëjë inspektimin si është ndërtuar ky rrjet dhe nëse i përmbush standardet dhe parametrat e duhura për funksionim normal dhe furnizim të rregullt me ujë për pije për qytetin e Tetovës”, theksojnë nga Eco Guerilla.

Anketuam edhe disa qytetarë, ata  thonë se mungesë uji ka edhe se nuk e dinë se ku qëndron problemi pasi që sipas tyre kjo ndodh shpesh.

“Kemi zakonisht por këto ditë nuk kemi, ka,  s’ka,  vjen dhe shkon , por duhet edhe diçka  populli duhet të paguaj ujin”.

“Ujë nga mbrëmë nuk kemi, erdha në shtëpi nuk kishte, kam marr ne shishe, kam mbushur  jo vetëm unë por dhe në Drenovec që shkon ajo linja”.

“Në lum del, për atë nuk ka dhe nuk e rregullon askush, nuk e rregullojnë”.

 Qyteti i Tetovës ka rrjet të vjetër mbi 80 vjet. Dëmtimi i gypave kryesor ndodh shpesh,  po këtë radhë kemi dëmtim të sistemit të ujit që u ndërtua vetëm disa vite më parë, kur  qytetarëve të Tetovës u kushtoi miliona euro nga taksat e tyre dhe mbi 20 vjet pritje.