Një banesë në Donjeck, zona nën kontroll të separatistëve rusë, qyteti i pestë më i madh në Ukrainë, u godit me raketa herët në mëngjes. Pas shkatërrimit të disa kateve, pjesëtarët e ndihmës së shpejtë dhe qentë për shpëtim, ishin në kërkim të të mbijetuarve nën rrënojat. Janë regjistruar dy viktima dhe 4 të plagosur.
“Rrija në krevat dhe – tronditje! U kris qelqi i dritares, ranë kornizat, as nuk kuptova se çfarë ndodhi. Banesa ishte plot me tym, ngulfatesha prej gazit, prej tymit. Edhe dera e kuzhinës ishte thyer, po ashtu edhe dera e banjos“, tha Ana Gorda, banore e Donjeckut.
Asgjë nga tërheqja e forcave ruse afër Kievit dhe Çernihivit, pohojnë ukrainasit.
“Dje rusët deklaruan se e ulin ofensivën e tyre dhe aktivitetet ndaj Çernihivit dhe Kievit. A të besojmë në këtë? Patjetër se jo. Ne jemi të gatshëm për çfarëdolloj situate dhe të takohemi me armikun në Çernihiv. E ashtuquajtura ulja e aktiviteteve në rajonin e Çernihivit, u demonstrua me sulme të armikut, duke përfshirë edhe sulme ajrore ndaj Nizhinit, ndërsa tërë natën hidhnin granata ndaj Çernihivit. Janë shkatërruar objekte infrastrukturore, biblioteka, qendra tregtare, shumë shtëpi në Çernihiv“, tha via Çesllav Çaus, guvernator i Çernihivit.
Ushtria ruse njoftoi se e kanë zhvendosur fokusin në qendrën lindore industriale të Ukrainës, Donbas, ku rebelët e përkrahur nga Moska luftojnë me forcat ukrainase që nga 2014. Ministria ruse e mbrojtjes njoftoi se raketa ruse kanë shkatërruar depo të mëdha me derivate prej ku është bërë dërgesë deri te automjetet e blinduara ukrainase në rajonin e Donbasit.
“Raketa me saktësi të lartë nga ajrishkatërruan depo të mëdha me derivate në rajonet Starokonstantinov dhe Hmelnicki prej ku janë furnizuar me derivate automjetet e blinduara ukrainase në Donbas. Sistemi operativo-taktik për raketa Iskander shkatërroi dy depo të mëdha me raketa dhe armë të artilerisë në fshatin Kamenka, rajoni i Donjeckut“, tha Igor Konashenkov, zëdhënës i Ministrisë së Mbrojtjes së Rusisë.
Dje në Stamboll u mbajt raundi i ri i negociatave me ndërmjetësi të Turqisë. Sipas presidentit të Ukrainës, ka sinjale pozitive.
“Po, mundemi të themi se sinjalet që po i dëgjojmë nga negociatat janë pozitive megjithatë këto sinjale nuk mund t’i heshtin shpërthimet e granatave ruse. Kuptohet, i shohim të gjitha rreziqet. Nuk shohim bazë për të besuar në fjalët që vijnë nga përfaqësuesit të vendit i cili vazhdon të luftojë për të na shkatërruar“, pohoi Vollodomir Zelenski, president i Ukrainës.
Sipas paralajmërimeve, përfaqësuesit rusë dhe ukrainas përsëri në Stamboll duhet të ulen në tryezë të enjten dhe të premten. Ukraina paralajmëroi se është e gatshme që të heqë dorë nga kërkesa për anëtarësim në NATO por me garanci për sigurinë e saj. Nga ana tjetër, Fajnenshel Tajms publikoi se Putin ngadalshëm po heq dorë nga propaganda për të ashtuquajturin de-nazifikim të Ukrainës.
