Një burrë i armatosur është arrestuar pranë klubit të golfit të Donald Trump në Los Anxhelos

TË FUNDIT

Një burrë i armatosur me pistoletë është arrestuar pasi kishte fotografuar dhe incizuar ambientet e klubit të golfit “Trump National”, në pronësi të presidentit amerikan Donald Trump, në qarkun e Los Anxhelosit.

Incidenti ndodhi gjatë fundjavës, njoftoi sot Zyra e Sherifit të Qarkut të Los Anxhelosit.

Sipas autoriteteve, policia gjeti automjetin e të dyshuarit, Janin John Thiel (38), në parkingun e klubit të golfit. Gjatë kontrollit iu gjet një karikator me 16 fishekë, një pistoletë e mbushur me fishek në tytë, si dhe një karikator shtesë i mbushur me municion.

Thiel u arrestua për mbajtje të fshehtë të armës së zjarrit dhe posedim të municionit të ndaluar që mund të depërtojë jelekët antiplumb. Pas arrestimit, detektivët kontrolluan banesën e tij, ku gjetën armë të tjera zjarri dhe disa fletore me deklarata që autoritetet i cilësuan si shqetësuese.

I dyshuari, banor i Dauni, Kaliforni, po mbahet me një garanci prej 250 mijë dollarësh dhe pritet të dalë para gjykatës më 26 gusht. Ai akuzohet edhe për posedim të një pushke të paregjistruar me tytë të shkurtër, vepër penale që sipas ligjit federal dënohet me të paktën 10 vjet burg.

“Edhe pse ende po hetojmë motivet e këtij personi, jemi mirënjohës që ai u arrestua para vizitës së presidentit. Autoritetet federale dhe lokale ndërhynë në kohë dhe parandaluan një situatë që mund të ishte e rrezikshme. Hetimet vazhdojnë”, deklaroi ndihmësprokurori federal Bill Essayli.

Ngjarja ndodhi të dielën, një ditë para se të bëhej publike se presidenti Donald Trump do të vizitojë këtë javë pronën e tij në Rancho Palos Verdes, pranë Los Anxhelosit, për të marrë pjesë në një darkë të Komitetit Kombëtar Republikan.