Për herë të parë në Kërçovë ka nisur të funksionojë parkimi me pagesë. Janë tre zona më të frekuentuara të qytetit me çmime të ndryshme. Zona A 30 denarë, B 20 denarë dhe C 10 denarë ora. Parkingu paguhet në bulevardin e qytetit, pjesa tjetër nga spitali deri tek tregu i gjelbër. Përveç pagesës ditore, do të ketë mundësi edhe për pagesë mujore dhe vjetore për ata që gjatë gjithë kohës janë nëpër qytet ose në punë.
“Do të ketë tarifa mujore, tarifat mujore janë 1800 denarë tek zona A, 1300 denarë tek zona B dhe 800 denarë tek zona C. Tarifa vjetore 18 mijë denarë tek Zona A, tek zona B 12 mijë denarë dhe te zona C është 8 mijë denarë”, tha Zenel Jonuzi, drejtor i NP “Komunalec” Kërçovë.
Çmime të tjera me lirim pos këtyre ka për banorët e zonave ku paguhet parkingu dhe për punëtorët.
Por për çështjen e pagesës, në adresë të TV21 kanë arritur shumë pyetje prej mërgimtarëve të cilët vijnë për pushime. Shumica thonë se nuk marrin as numra telefoni të Maqedonisë, ndërsa pa të nuk mund të bëhet pagesa nëpërmjet SMS porosisë. Drejtori i Komunales Jonuzi siguron se e kanl menduar edhe këtë.
“Pagesën mund ta bëjnë përmes numrit që na është ndarë 144144 përmes SMS porosisë, pastaj në tabelën informuese ka edhe QR code që të fut në faqen tonë të parkingjeve të qytetit, mënyra tjetër është përmes kontrollorit në terren që do të jetë mund të bëjnë pagesë edhe me shirit fiskal, por unë u kisha preferuar mërgimtarëve të bëjnë pagesë mujore në të tri zonat 1800 denarë”, theksoi Zenel Jonuzi, drejtor i NP “Komunalec” Kërçovë.
Pagesa mujore bëhet në zyrat e NP “Komunalec”, e sa u përket dënimeve për ata që nuk paguajnë, gjobat fillojnë nga 600 denarë.
“Dënimi është 600 denarë, duhet të paguhet në afat prej 7 ditëve dhe në qoftë se nuk e paguan dënimi vijon në 1000 denarë, dhe nëse nuk paguhet me kompensimin e mjeteve merret përmbaruesi”, shtoi Zenel Jonuzi, drejtor i NP “Komunalec” Kërçovë.
Ekziston edhe aplikacioni në “App store” për pagesë me kartelë. Pagesa e parkingut vlen nga ora 7 deri në orën 22 nga e hëna deri të premten. Pas orës 22 është pa pagesë. Ditën e shtunë falas është pas orës 16, ndërsa falas do të jetë po ashtu edhe të dielave dhe në festa shtetërore.