Në Gjykatën Themelore Penale në Shkup sot filloi lënda kundër ish/zëvendëskryeministrit Artan Grubi dhe shtatë personave të tjerë për keqpërdorime në SHA “Lotaria Shtetërore”. Prokuroria më 13 gusht të këtij viti parashtroi propozim aktakuzë ndaj Artan Grubit dhe shtatë personave të tjerë, të cilët dyshohet se gjatë viteve 2023 dhe 2024 bashkërisht kanë ndërmarrë veprime me të cilat i kanë tejkaluar kufijtë e autorizimeve dhe detyrave të veta të posaçme, me qëllim që ta dëmtojnë Lotarinë Shtetërore në vlerë të 507.632.173 denarëve.
Të gjithë të akuzuarit ngarkohen me veprën penale – Keqpërdorim i pozitës dhe autorizimit zyrtar nga neni 353 paragrafi 5 v.v. paragrafi 4 v.v. neni 22 nga Kodi penal, për çka parashihet dënim me burg prej më së shumti pesë viteve.
Përmes ndarjes automatike lënda i është caktuar gjykatëses Biljana Shuplinovska – Jovevski.
I akuzuari i parë – ish-drejtori i “Lotarisë shtetërore”, Përparim Bajrami ende nuk është i kapshëm për organet e ndjekjes, përkatësisht ndodhet në arrati, dhe për atë Prokuroria kërkon që t’i caktohet arresti shtëpiak për një periudhë prej 30 ditësh, ndërsa për të akuzuarin e dytë, Artan Grubi, është propozuar vazhdimi i masës së arrestit shtëpiak të shqiptuar më parë, e cila iu shqiptua së bashku me masën paraprake – sekuestrim i përkohshëm i dokumentit të udhëtimit dhe ndalim për lëshimin e dokumentit të udhëtimit ose dokumentit tjetër për kalimin e kufirit shtetëror.
Duke pasur parasysh se Prokuroria Themelore Publike Shkup ka parashtruar propozim aktakuzë, masa e paraburgimit në përputhje me nenin 470, paragrafi 4 i Ligjit për procedurë penale mund të zgjasë maksimalisht 60 ditë nga data e paraqitjes së propozimit deri në përfundimin e seancës kryesore, përkatësisht maksimumi 60 ditë, duke llogaritur nga 13 gushti.
Grubi, pas më shumë se 14 muajsh në arrati, në shkurt të këtij viti u arrestua në vendkalimin kufitar Bllacë. Pas marrjes në pyetje në Prokurori, Grubi, në vend që të mbahej në paraburgim, të cilit më herët i ishte caktuar në mosprezencë, për arsye sigurie, iu caktua masa e arrestit shtëpiak.
