Nga mesnata patentat me emrin e vjetër jovalide! Qytetarët: Le të mos vlejnë edhe kreditë me emrin e vjetër

TË FUNDIT

“Lejet e vozitjes me emrin e vjetër të shtetit – Republika e Maqedonisë, më nuk do të jenë të vlefshme nga data 13 shkurt, apo më saktë nga mesnata. Të shohim se çfarë mendojnë qytetarët në lidhje me këtë”, raporton Almedina Ismajli, gazetare TV21.

-Më herët thanë se do të vlejnë për përdorim të brendshëm dhe prandaj nuk shpejtuam të nxjerrim për shkak të tollovis, ndërsa dje dalin thonë se prej nesër nuk vlejnë e kjo nuk është në rregull. Duhej të kishte kohë që të rregullohet problem, sepse kështu si iu kujtua dikujt për një ditë… 

Po për dënimet? Edhe më keq, si t’i paguajmë kur paratë i kemi me Republika e Maqedonisë, le t’i ndërrojnë edhe ato meqë po ndrrojmë gjithçka, edhe kreditë edhe ato i kemi me Republika e Maqedonisë.

-Thjesht më habit ky populli ynë paqësor e me qëllime të mira që nuk reagon por e merr gjithçka si të mirëqenë, absolutisht e pakuptimtë, në kurriz të vetes, në vendin e vet të jesh njeri pa dokumente sepse dikush nuk është i kualifikuar që ta zbatojë atë… nuk kam fjalë, situatë e pakuptimt, pa sens.

-Të kihet parasysh se kjo po ndodh përnjëherë dhe nuk duhet të dënohen, me terminet e reja le të ndërrohen por t’i dënojnë, nuk është korrekte.

Ish ministri i Brendshëm Oliver Spasovski pati deklaruar se nuk do të ketë dënime edhe nëse qytetarët nuk arrijnë të ndërrojnë dokumentet personale, por tani nga Ministria e Punëve të Brendshme thuhet se me lejet e vjetra shoferët nuk guxojnë të ngasin makinën dhe se qytetarët do të bartin pasojat nëse kapen në komunikacion.

“Në asnjë rast nuk do të bëhet fjalë për dënime të qytetarëve, nuk do ta bëjmë këtë e as të pësojnë në realizimin e të drejatve të tyre”, theksoi Oliver Spasovski, ish-ministër i Brendshëm.

Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski deklaroi se sot ka dorëzuar në Kuvend dy propozim ligje, që sipas tij do të zgjedhin problemin që kanë qytetarët që nuk janë pajisur me dokumente me emrin e ri të shtetit. Toshkovski tha se me propozim ligjin për ndryshimin e Ligjit për Siguri të Rrugëve në Trafik, do të zgjidhet problemi me patentat e shoferit, ndërsa  me propozim për ndryshim të Ligjit për Dokumente të Udhëtimit, në procedurë të shkurtuar, do të zgjidhet problemi me pasaportat.

“Vetëm me ndryshimin e këtyre dy ligjeve, në pjesën e vlefshmërisë, si të patentave, ashtu edhe të pasaportave, mund të zgjidhen problemet e qytetarëve, gjithçka tjetër është kozmetikë, makijazh, populizëm dhe kështu me radhë”, pohoi Pançe Toshkovski – ministër i Brendshëm.

Në lidhje me situatën ka reaguar edhe presidenti i vendit Stevo Pendarovski, i cili ka deklaruar se asnjë qytetar nuk guxon të dënohet për patentë shoferin dhe librin e shoferit, veçanërisht për pjesëmarrje në qarkullim brenda territorit të vendit tonë. Ai u ka bërë thirrje institucioneve kompetente që sa më shpejt dhe saktë të informojnë qytetarët për të gjitha hapat që po ndërmerren për tejkalimin e kësaj situate të papranueshme.  Prej sot në mesnatë më nuk do të vlejnë dokumentet personale me emrin e vjetër të shtetit, letërnjoftimet dhe pasaportat nuk do të vlejnë jashtë vendit.