Kompania turke “Kazanxhi Holding” hyn në vendin tonë me një investim prej rreth një miliard eurosh. Kryeministri Hristijan Mickoski dhe kryetari i kompanisë Shaban Xhemajlli nënshkruan memorandum, me të cilin hapet rruga për realizimin e investimit në fushën e energjetikës.
“Projekti parashikon tre komponentë kryesorë – zhvillimin e kapaciteteve të reja për prodhimin e energjisë elektrike, ndërtimin e një rrjeti shpërndarës për gaz natyror, si dhe masa për rritjen e sigurisë në furnizimin me gaz. Kjo nuk është vetëm një infrastrukturë, është një projekt që prek sigurinë, stabilitetin dhe të ardhmen ekonomike të shtetit. Energjia është baza për çdo lloj prodhimi, për funksionimin e institucioneve dhe për jetën normale të qytetarëve”, tha Hristijan Mickoski, kryeministër.
“Bisedimet për këtë projekt kanë nisur shumë kohë më parë. Projekti është tashmë gati dhe tani do të bëhet një hulumtim, pas të cilit ky projekt prej një miliard eurosh do të fillojë zbatimin. Zhvillimi i këtyre sistemeve të reja energjetike do të bëhet nën mbikëqyrjen e një profesionalizmi të madh dhe shpresojmë të bëjmë një hap të madh përpara në zhvillimin e energjetikës. Kjo do të jetë një qendër strategjike në Ballkan”, shtoi Shaban Xhemajli, kryetar i “Kazanxhi Holding”.
