Vdekja e papritur e Laurent Krasniqit, në moshën 29-vjeçare, ka shkaktuar dhimbje të madhe te familjarët, miqtë dhe të gjithë ata që e njohën përmes rrjeteve sociale dhe më pas nga pjesëmarrja e tij në “Big Brother VIP Kosova 3”.
Krasniqi humbi jetën mbrëmjen e së mërkurës në një aksident tragjik me motoçikletë në Llukarë të Prishtinës. Lajmi i rëndë u përhap me shpejtësi, ndërsa në rrjetet sociale kanë vërshuar mesazhet e ngushëllimit dhe kujtimet për të.
Në mesin e atyre që kanë reaguar me dhimbje janë edhe miqtë dhe bashkëpunëtorët e tij të ngushtë, Fitimi dhe Egzon Sahiti.
Fitimi ka publikuar një fotografi me Laurentin, duke i kushtuar atij një mesazh lamtumire: “Lal, ma këpute shpirtin vëllau jem. Allahu t’mshiroftë e t’boftë prej banorëve të Xhenetit”.

Edhe Egzon Sahiti ka ndarë një fotografi të përbashkët me Krasniqin, krahas së cilës ka shkruar: “Lal, ma ke këput shpirtin vllau jem”.

Pas lajmit tragjik kanë reaguar edhe ish-banorë të tjerë të “Big Brother VIP Kosova”, duke shprehur dhimbjen dhe duke ndarë kujtime me 29-vjeçarin.
Laurent Krasniqi ishte bërë i njohur fillimisht përmes TikTok-ut, ndërsa pjesëmarrja në edicionin e tretë të “Big Brother VIP Kosova” e bëri atë edhe më të njohur për publikun.
Ndarja e tij e parakohshme nga jeta ka tronditur të afërmit, miqtë dhe ndjekësit e tij, të cilët që prej mbrëmjes së 2 shtatorit kanë shprehur dhimbjen për humbjen e tij.
