Pasi dje ishte regjistruar numri rekord i rasteve të vdekjes për 24 orë, gjithsej 50 shkaku i ndërlikimeve me Covid-19, ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe thotë se ka shumë pacientë të cilët janë në gjendje të rëndë dhe të cilët trajtohen sipas standardeve, por fatkeqësisht ka edhe raste kaq të rënda me pasqyrë klinike të cilën deri më tani nuk e kanë parë as mjekët.
“Fatkeqësisht, edhe tani, edhe sot kemi shumë pacientë në gjendje të rëndë. Pavarësisht nga masat e marra, për fat të keq te disa nga pacientët trajtimi nuk jep efekt, ka pasqyrë klinike, një manifestim të cilin në të vërtetë deri më tani disa nga kolegët, veçanërisht ekspertët nga fusha e pulmologjisë dhe mjekësisë infektive, nuk e kanë parë”, tha Venko Filipçe – Ministër i Shëndetësisë.
Situata në covid-qendrat mbetet serioze. Atje janë hospitalizuar më shumë se 1.700 pacientë, por sipas autoriteteve shëndetësore, ka rreth 230 shtretër të lirë.
Por, edhe përkundër faktit se vaksinat “Sputnik” mbërritën para dy ditësh, vaksinimi masiv në sallën “Boris Trajkovski” në Shkup do të fillojë të hënën. Në vend të vaksinimit, sot Ministria organizoi një simulim për të parë se si do të zhvillohet procesi me qëllim që të minimizohen problemet e mundshme.
“Është shumë me rëndësi që sistemi të vendoset mirë me qëllim që kur të nisë të funksionojë të mos ketë situata kaotike. Prandaj, e organizojmë koordinimin e sotëm, kurse ditëve të fundit mbaruan edhe procedurat në “MALMED”. Është me rëndësi të vendoset mirë sistemi, me qëllim që
të minimizohen problemet”, shtoi Filipçe.
Dhe derisa autoritetet shëndetësore po bëhen gati për imunizimin masiv, sërish protestë para Ministrisë. Partia opozitare VMRO-DPMNE me një minutë heshtje i nderoi 3.860 personat që e humbën jetën, 50 prej të cilëve janë regjistruar dje.
“Sot jemi mbledhur për të tretën herë para kësaj ndërtese që gjendet prapa meje e cila quhet Ministria e Shëndetësisë. Fatkeqësisht, këtë institucionet e udhëheq ministër për moto-gara”, theksoi Dafina Stojanoska – Anëtare e KE e VMRO-DPMNE-së.
Duke filluar nga e hëna, në sallën “Boris Trajkovski” do të vaksinohen 3.000 njerëz. Do të punojnë 25 infermiere dhe 5 mjekë. Filipçe kumtoi se së shpejti numri do të rritet dhe në bazë ditore vaksinën do ta marrin 7.000 qytetarë. Me 20 mijë dozat e vaksinës “Sputnik”, të cilat vijnë si donacion nga Serbia, do të vaksinohet policia, ushtria, gazetarët, prokurorët, gjykatësit, shoferët në NQP, zjarrfikësit, edukatoret në çerdhe dhe të punësuarit në pagesat rrugore.
