Edhe pse studiojnë drejtime të kërkuara si shkenca kompjuterike dhe inxhinieri, studentët nuk mendojnë se do ta kanë të lehtë të gjejnë punë në Maqedoni.
Në mesin e studentëve ka të tillë që planifikojnë të ikin jashtë vendit.
“Shkenca kompjuterike dhe inxhinieri. Ku do që të punësohesh në të ardhmen? Ta shohim ndoshta shkoj jashtë se shteti ynë nuk ka shumë mundësi dhe nuk na përkrah qeveria me financa, kjo është arsye pse dua të dal jashtë”
“Nëse kam njohuritë e nevojshme… po është më vështir, por gjithsesi mundet”
“Në Maqedoni nuk gjen punë lehtë por besoj që drejtimi im është i kërkuar dhe do të gjej”
“Kuptohet se nuk është lehtë në Maqedoni të gjejmë punë, mirëpo derisa ky llogaritet si drejtim më i kërkuar, mendoj se edhe në Maqedoni do të vijë koha kur do të gjejmë me lehtësi punë”
Për tu plotësuar boshllëku mes arsimit dhe tregut të punës është i domosdoshëm harmonizimi i tyre, vlerëson rektori i Universitetit Nënë Tereza, Izet Zeqiri. Universitetet duhet të ofrojnë programe studimore më të shkurta se tre vjet, shton ai.
“Ideja vjen si rezultat i situatës alarmante që e kemi në Maqedoni ku kemi 119 mijë të papunë, nga ana tjetër kemi 8 mije vende pune, ku bizneset kërkojnë por nuk ka punëtorë. Është e domosdoshme universitetet të fillojnë me reforma në dizajnimin e programeve studimore më të shkurta, me të cilat do t’i përgjigjen sfidave të tregut të punës”, tha Izet Zeqiri – rektor i UNT.
Sektorët që çalojnë sipas kryetarit të OEMVP, Nebi Hoxha, janë sektori i ndërtimtarisë dhe ai i IT-së. Nuk duhet domosdo edukim universitar për punësim, shtoi ai.
“Nuk do të thotë se të gjithë duhet të kenë edukim universitar për shkak se ne kemi nevojë për sektorë të ndryshëm që nuk kërkojnë edukim universitar, por mund të punësohen dhe të jenë produktiv për shoqërinë tonë vetëm me shkollë të mesme dhe fillore, prandaj ne duhet fokusuar që nga shkolla fillore për përgatitjen e kuadrove sipas nevojave të tregut”, theksoi Nebi Hoxha – kryetar i OEMVP.
Universiteti “Nëna Terezë” në Shkup, në bashkëpunim me Odën ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore dhe Ministrinë e Arsimit organizuan tryezë të rrumbullakët me temë “Harmonizimi i programeve studimore në arsimin e lartë me nevojat e tregut të punës”. Siç informojnë nga Universiteti, qëllimi është komuniteti afarist dhe akademik në takim të drejtpërdrejtë të zhvillojnë debat për atë se si të arrihet bashkëpunim mes dy komuniteteve, ndërsa përfitime do të kishin të gjithë.
