Pa kaluar as një vit nga miratimi i ndryshimeve në Kodin Penal, kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, pranon se me të është bërë gabim i madh. Prandaj, ai tha se Ministria e Drejtësisë tashmë ka hartuar një ligj të ri derisa në pushtet ishte LSDM-ja, por kërkon nga Qeveria aktuale ta procedojë dhe ta vendosë në debat publik dhe të miratohet me konsensus. Nëse nuk e bën këtë, njoftojnë se do ta paraqesin vetë si propozim në Parlament.
“Duhet të jemi të sinqertë dhe të pranojmë se kemi bërë gabim me ndryshimin e Kodit Penal. Është përgatitur Ligji i ri penal, i cili ka filluar në vitin 2017 nga ministrja Deskoska, është gati, i përfunduar. I bëj thirrje Qeverisë që ta vendosë në debat publik. Ai Kod i ri Penal është bërë në koordinim të plotë me institucionet ndërkombëtare sipas Kodit Penal në Gjermani”, tha Venko Filipçe, kryetar i LSDM-së.
Kryeministri Mickoski thotë se LSDM-ja me ndryshimet në Ligjin penal siguroi vjetërsim të veprave të tyre dhe tani kërkojnë ligj të ri.
“Një student në vitin e parë në Fakultetin e Drejtësisë e di se çdo person që do të ndiqet penalisht do të përdorë ligjin që është i zbatueshëm në momentin e krimit. Dhe tani ata miratuan një ligj për të amnistuar krimet e tyre dhe për ata politikanë që nga e kaluara kishin nevojë për ta për t’i vjetërsuar disa nga veprat e tyre dhe tani do të sjellim ligj të ri. Ne do të sjellim ligj të ri, ashtu është, ne nuk kemi problem të sjellim ligj të ri, por ai ligj do të jetë në përputhje me ligjet europiane, dhe jo siç i duhet dikujt”, deklaroi kryeministri Hristijan Mickoski.
Punën e Qeverisë në muajin e parë të qeverisjes, Filipçe e vlerësoi keq, duke thënë se po ndërmerren hapa të gabuar dhe, siç tha ai, po udhëhiqet politikë e populizmit. Ata e çuan procesin e integrimit europian 10 vjet mbrapa si me makinë kohe. Gjithçka që kanë paralajmëruar se do ta bëjnë e kanë shkelur, tha Filipçe, por sipas tij, siç tha ai, vendi po lëviz në një drejtim strategjik të çuditshëm dhe të paqartë. Këtu ai foli më shumë në huamarrjen nga Hungaria.
“Para së gjithash, është krejtësisht e palogjikshme pse një vend që nuk ka para për të dhënë, merr hua prej dikujt tjetër, merr hua me normë interesi shumë më të lartë dhe na jep hua me normë më të ulët interesi. Pyesim veten nëse ka diçka pas kësaj. Ne insistojmë që qeveria të kalojë sa më shpejt në Kuvend ligjin për huamarrje, por edhe të tregojë origjinën e parave. A mos vallë fshihet ndoshta ndonjë tendencë tjetër pas kësaj, a ka ndoshta një ide nga disa kompani në Hungari për të blerë media këtu në vendin tonë, u shpreh Filipçe.
Lidhur me akuzat që vijnë këto ditë nga VMRO-DPMNE-ja se Filipçe në kohën kur ishte ministër ka blerë një haciendë dhe një veturë Jeep të shtrenjtë, ai i hedh poshtë. Unë nuk kam as haciendë e as veturë luksoze, fotografitë e paraqitura nga VMRO-DPMNE nuk janë shtëpitë e mia, është shtëpia e babait të gruas sime, tha Filipçe.
