Raketat ruse nuk po kursejnë as vendet e banuara me civil. Gruaja shtatzënë e plagosur nga bombardimet ruse në qytetin e Mariupolit, ka vdekur së bashku me foshnjën e saj, raporton CNN. Sulmi ndodhi të mërkurën e kaluar, kur u vranë edhe së paku tre persona të tjerë. Pas sulmit, gruaja u dërgua në një spital tjetër. Foshnja e saj lindi me prerje cezariane, por nuk dha shenja jete. Pak kohë më vonë, sipas tyre, vdiq edhe nëna.
Ndërkohë bombardimet kane vazhduar. Një pallat është sulmuar nga forcat ruse në Obolon të Kievit. Shërbimi Shtetëror i Emergjencave të Ukrainës thotë se dy trupa u gjetën dhe tre persona u dërguan në spital.
Fotot tregojnë tymin që del nga pallati 9 katësh ndërsa zjarrfikësit përdorin shkallët për të shpëtuar banorët që mund të kenë mbetur brenda.
E numri i personave që humbën jetën në Mariupol, që nga fillimi i luftës ka shkuar në 2 mijë e 500 të vrarë.
Nga ana tjetër një nga negociatorët e Kievit ndau në Tuitter një fotografi nga bisedimet që po zhvillohen midis Ukrainës dhe Rusisë, me qëllim ndaljen e konfliktit.
Zyrtari ukrainas, Mykhailo Podolyak, tha se të dyja palët i kanë paraqitur tani pozicionet e tyre.
Më herët, ai tha se bisedimet do të fokusohen në vendosjen e armëpushimit në Ukrainë, tërheqjen e trupave ruse dhe garancitë e sigurisë për Ukrainën.
“Pozicionet tona nuk kanë ndryshuar. Paqe, armëpushim të menjëhershëm, tërheqje e të gjitha trupave ruse dhe vetëm atëherë mund të flasim për marrëdhëniet fqinjësore dhe një zgjidhje politike”, tha Mukhailo Podolyak, zyrtar ukrainas.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky këmbëngul për bisedime të drejtpërdrejta me presidentin rus, Vladimir Putin.
“Përfaqësuesit e vendeve tona po zhvillojnë bisedime të përditshme përmes video-konferencës”.
Delegacioni ynë ka një detyrë të qartë, të bëjë gjithçka për të mundësuar një takim me presidentin. Ky do të jetë një takim, te cilin e presin të gjithë, sepse kjo është një rrugë e vështirë, por e nevojshme për të marrë garanci të efektshme.
Ndërkohë disa organizata të OKB-së kanë kërkuar fundin e sulmeve ruse kundër institucioneve shëndetësore, sulmet kundër më të dobtëve, foshnjave, fëmijëve, nënave shtatzëna dhe njerëzve që vuajnë në spitale./TV21
