Paralajmërime për apokalipsin e inteligjencës artificiale! Të gjithë sytë janë të drejtuar nga Trump dhe Xi

TË FUNDIT

Ndërsa ekspertët kryesorë dhe punonjësit e industrisë së inteligjencës artificiale (IA) po paralajmërojnë gjithnjë e më fort se zhvillimi i pakontrolluar i inteligjencës artificiale mund të përbëjë një kërcënim ekzistencial për njerëzimin, presidenti amerikan Donald Trump dhe lideri kinez Xi Jinping, për momentin, nuk po tregojnë synim për ta ngadalësuar garën teknologjike. Takimi i tyre është caktuar për 24 shtator në Shtëpinë e Bardhë.

Trumpi, gjatë qëndrimit në Irlandë, i minimizoi paralajmërimet e studiuesve, duke deklaruar se “kush fiton në IA, ka fituar”, dhe vlerësoi se po paraqiten skenarë negativë dhe gjëra që, sipas tij, nuk do të ndodhin. Ndërkohë, Xi, në samitin e BRICS-it në Nju Delhi, u bëri thirrje vendeve të Jugut Global që të përshpejtojnë krijimin e një kornize ndërkombëtare për menaxhimin e inteligjencës artificiale.

Presidenti kinez njoftoi gjithashtu se Kina do të krijojë një komunitet të BRICS-it për inteligjencën artificiale me burim të hapur, i cili synon të mbështesë zhvillimin e modeleve të mëdha gjuhësore, të organizojë takime të ekspertëve dhe të kontribuojë në ndërtimin e një ekosistemi të hapur të IA-së.

Drejtori i OpenAI, Sam Altman, beson se Trumpi dhe Xi do ta meritonin Çmimin Nobel për Paqe nëse SHBA-ja dhe Kina arrijnë një marrëveshje për standarde të përbashkëta dhe testime për zhvillimin e sigurt të teknologjisë së IA-së. Ndërsa drejtori i Anthropic, Dario Amodei, u bëri thirrje të dy fuqive që së bashku të “vendosin një kufi për shpejtësinë” e zhvillimit të kësaj teknologjie, bën të ditur Business Insider.

Paralajmërimet u forcuan më tej pasi studiuesi i Anthropic, Jacob Cockson, u largua nga kompania, duke pretenduar se as Anthropic dhe as OpenAI nuk po veprojnë me përgjegjësi dhe se “po luajnë me jetët tona”. Ai theksoi se njerëzit që po e zhvillojnë këtë teknologji besojnë seriozisht se deri në fund të kësaj dekade ajo mund të çojë në zhdukjen e njerëzimit