Ushtrueses së detyrës së presidentes dhe njëherësh kryetares së Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, i ka ndërruar jetë babai, përcjell TV21. Lajmin e ka bërë të ditur vetë Haxhiu përmes një postimi, ku ka shprehur dhimbjen për humbjen e prindit.
“Me zemër të thyer e dhimbje të thellë, njoftoj për ndarjen nga jeta të babit. Ai ishte shtylla jonë më e fortë, mbështetësi im më i madh, njeriu që na mësoi respektin për të tjerët dhe që, me dashuri të pastër, dinte të na mbante gjithmonë të bashkuar. Do të dua përherë dhe nuk do të harroj kurrë, babë. Do të më mungosh shumë”, ka shkruar Haxhiu.
Po ashtu, familja ka njoftuar se ceremonia e varrimit do të mbahet sot në orën 17:00, në fshatin Lupç të Podujevës.
“Të dashur miq e familjarë, ju njoftojmë se sot, në orën 17:00, në fshatin Lupç të Podujevës, do t’i japim lamtumirën e fundit babit tonë të dashur. Faleminderit të gjithëve për ngushëllimet në këto momente të rënda. Me mirënjohje të thellë, Familja Haxhiu”, ka shkruar Haxhiu.
