Deklarata e presidentit të Francës, Emmanuel Macron, i cili në Tiranë saktësoi se vendi i tij do të mbështesë Shqipërinë në procesin e integrimit evropian, për Ministrin e jashtëm Bujar Osmani nuk nënkupton që rrugët e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë për në BE do të ndahen.
“Mendoj se nuk duhet të nxjerrim ndonjë mesazh nga deklarata e Macronit, sepse edhe ai ishte në një vizitë dypalëshe në Shqipëri dhe prandaj mesazhet kishin për qëllim Shqipërinë dhe jo për rajonin”, tha Bujar Osmani, ministër i punëve të Jashtme.
Ministri i Jashtëm u shpreh optimist për ndryshimet kushtetuese ndërsa për ndarjen e mundshme të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë Osmani gishtin e drejtoi kah opozitarja VMRO-DPMNE.
“Nëse do të ketë një ndarje, duhet t’i pyesni tashmë nga partia jonë opozitare. Topi është në fushën tonë dhe ndryshimet kushtetuese janë momenti që do të vendosë nëse do të ketë ndarje apo vazhdim të negociatave me BE-në, bashkë me Shqipërinë. Është çështje e opozitës tani për tani dhe për një kohë të shkurtër do të jetë për të gjithë ne”, pohoi Bujar Osmani, ministër i punëve të Jashtme.
Në selinë e BE-së në Bruksel më 19 korrik të vitit që lamë pas u mbajt konferenca e parë ndërqeveritare, në të cilën Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria zyrtarisht i hapen negociatat për anëtarësim në BE. Por, para marrjes së datës për fillim të negociatave Maqedonia e Veriut është kushtëzuar për të bërë ndryshimet kushtetuese komfor marrëveshjes me palën bullgare, sipas propozimit francez.
