Trump: Fundi i luftës në Ukrainë është afër

TË FUNDIT

Presidenti amerikan Donald Trump tha se së shpejti mund të ketë një marrëveshje për fundin e luftës në Ukrainë, pasi u takua me të dërguarin e Vladimir Putin, Kirill Dmitriev.

Zyrtari rus u shfaq së bashku me përfaqësues nga Ukraina në një aktivitet në Shtëpinë e Bardhë, të organizuar nga Zonja e Parë Melania Trump.

Duke folur për gazetarët në Shtëpinë e Bardhë, presidenti amerikan tha se konflikti është pranë zgjidhjes dhe se përfundimi i saj mund të përfshijë të gjithë Evropën.

“Do të jetë një marrëveshje e madhe, e cila do të përfshijë më shumë sesa thjesht Ukrainën. Madje mund të them se mund të përfshijë të gjithë Evropën. Do të jetë një marrëveshje e madhe dhe e mrekullueshme, dhe të gjithë do të jenë tejet të kënaqur”, tha Trump.

Një delegacion amerikan pritet të ndërmjetësojë bisedime në Abu Dabi, më 10 dhe 11 nëntor, midis përfaqësuesve të Rusisë dhe Ukrainës.

Zhvillimet e reja vijnë mes një ndryshimi rrënjësor politik në Shtetet e Bashkuara, pasi demokratët morën kontrollin e Kongresit në zgjedhjet e mesmandatit.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se Kievi duhet të përshtatet me realitetet e reja të politikës amerikane për të ndërtuar dialog dhe për të adresuar nevojat e saj për më shumë ndihmë të huaj, si dhe për forcimin e mbrojtjes ajrore me qëllim përballimin e sulmeve ruse.

Ai theksoi se Ukraina duhet të forcohet përmes paketave të ndihmës dhe të sigurojë që furnizimet me raketa Patriot të dërgohen në Kiev.