Hiqen dy granata të Luftës së Parë Botërore, në vendin ku po ndërtohet autostrada Manastir-Prilep

TË FUNDIT

Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim (DMSH) ka larguar në mënyrë të sigurt dy granata mortajash të kalibrit 75 mm, të mbetura nga Lufta e Parë Botërore, të cilat ishin zbuluar në lokacionin ku po zhvillohen punimet për ndërtimin e autostradës Manastir–Prilep, përcjell TV21. Fillimisht, vendi ku ishin gjetur mjetet shpërthyese ishte shënuar dhe më pas një person i specializuar kishte kontrolluar lokacionin dhe rrethinën për të verifikuar nëse kishte edhe mjete të tjera të pashpërthyera.

Pirotekniku i DMSH-së, Gjorgji Stefanov, dje pasdite, në përputhje me procedurat standarde operative, i ka marrë dy granatat nga vendi i quajtur Karakli, pranë fshatit Alincë, në Komunën e Prilepit. Më pas, ato janë vendosur në depo për t’u shkatërruar në mënyrë të planifikuar dhe të sigurt në një poligon të posaçëm.

Nga Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim rikujtojnë se në rast të gjetjes së mjeteve të pashpërthyera, është rreptësisht e ndaluar prekja, zhvendosja apo manipulimi me to. Qytetarët duhet ta paraqesin menjëherë rastin në numrin pa pagesë 112, në Qendrën për Menaxhim me Kriza, ose në stacionin më të afërt policor, në numrin 192. Largimin dhe shkatërrimin e tyre e kryejnë vetëm piroteknikë të autorizuar.

Sipas DMSH-së, granata të tilla të Luftës së Parë Botërore gjenden shpesh në territorin e Maqedonisë, veçanërisht në rajonet ku kalonte Fronti i Maqedonisë, i njohur edhe si Fronti i Selanikut. Ato zbulohen kryesisht gjatë punimeve bujqësore, gërmimeve, ndërtimeve apo shëtitjeve në natyrë.