Edhe përkundër shumë polemikave në publik, Mustafa Hajrullahi u zgjodh shef i Prokurorisë së Lartë. Për zgjedhjen e tij votuan njëzëri të gjithë anëtarët e Këshillit të Prokurorëve, edhe Hajrullahi nuk kishte kundërkandidat. Njëri prej anëtarëve të Këshillit, Kole Shteriev tha se të zgjedhësh prokurorë kur mundësi zgjedhje ke vetëm një, është sikur në garë të kuajve të ketë vetëm një kalë. Megjithatë sipas kryetari të Këshillit të Prokurorëve, Antonio Jolevski, nuk është faji i tyre që nga gara janë tërhequr prokurorët e tjerë.
“Me të vërtetë është për keqardhje që të kemi vetëm nga një kandidat në garë e të mos mundemi të zgjedhim në mesin e më shumë kandidatëve. Edhe lënia e prokurorive pa shefa, vetëm e stërzgjat procedurën dhe krijojmë problem edhe më të madh. Asnjë prej ushtruesve të detyrës prokuror që vendosen nuk ndërmarrin hapa më radikal për zgjidhjen e problemeve sepse është i vendosur përkohësisht dhe të gjithë ikin që të mos marrin angazhime më të mëdha sepse nuk e dinë se deri kur do të jenë aty”, tha Antonio Jolevski, kryetar i Këshillit të Prokurorëve.
Jolevski tregoi se prokurori Hajrullahi është vlerësuar pozitivisht me 23 pikë, ndërsa shtoi se është më mirë të zgjidhet shef sesa prokuroritë të mbesin pa udhëheqës. Njëjte vlen edhe situata me Prokurorin për ndjekjen e krimit dhe korrupsionit të organizuar. Sipas tij Këshilli në zgjedhjen e Abazit nuk ka pasur asnjë lloj ndikimi.
“Këshilli u kthye në Komisioni zgjedhor, asgjë më shumë se kaq. Ne as nuk kemi mund të marrim pjesë, as nuk kemi dhënë ndonjë mendim e as dikush nuk na ka pyetur për mendimin tonë, gjegjësisht për zgjidhjen ligjore është lënë anësh roli i Këshillit. Këshilli vetëm e zbatoi procedurë, pra mbledhjen e rezultateve”, pohoi Antonio Jolevski, kryetar i Këshillit të Prokurorëve.
Për shef të Prokurorisë së Lartë Publike të Gostivarit u zgjodh Farik Arsllani. Këshilli e zgjodhi edhe Olivera Neçakovskën për kryetare të PTHP Manastir, Cvetanka Bogoevskën për PTHP Veles, Dushica Dimitrievska për PTHP Gostivar, Elizabeta Mileva-Jordanova për PTHP Kavadar dhe Teuta Ramadanin për PTHP Kumanovë.
