Mungesa e hidrantëve në shkollat e Tetovës. Drejtorët ankohen për fonde

TË FUNDIT

Edhe pse Inspektorati Komunal konstatoi mungesën e hidrantëve në disa shkolla në Tetovë, ende nuk është ndërmarrë asnjë hap për t’i rregulluar. Drejtorët ankohen për mungesë fondesh, si dhe për faktin që ende nuk e kanë marrë raportin nga Inspektorati Komunal.


“Neve nuk na ka arritur raport zyrtar se çka kanë vërejt dhe çka mungon, por në bisedë me ta ne konstatuam mungesat dhe kemi nisur punët. Mungesa kemi në modelin e hidrantëve dhe mund vetë t’i zgjidhim andaj dhe kemi filluar me procedurë për ndërrim të pajisjeve brenda hidrantëve, tha Jeton Kamberi, drejtor i gjimnazit “Kiril Pejçinoviq”.


“Aparatet kundër zjarrit i servisuam sepse iu kishte kaluar afati. Problemi nuk ishte te ne por firma që servisonte kishte ndërruar numrin e telefonit, por i servisuam, ndërsa sa iu përket hidranteve një kohë të gjatë nuk kanë qenë funksionale. Ne nuk kemi buxhet për riparimin e hidrateve dhe se kemi ditur se në çfarë gjendje janë, por tani në kontakt jemi me komunën dhe inspektoratin dhe do ndajnë mjete të freskohen të njëjtët”, tha Imbërja Ademi – drejtor i Sh.f. “Istigball”


Disa ditë më parë, kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, deklaroi se komuna do të ndihmojë shkollat dhe institucionet komunale që nuk kanë mjete për këto pajisje.


“Në institucione që janë ingerenca të komunës së Tetovës, siç janë shkollat por edhe ndërmarrjet komunale ku do të paraqitet problemi i mungesës së financimit nga buxheti vetanak, ne si komunë jemi të gatshëm të kontribuojmë dhe ndihmojmë këto institucione”, u shpreh Bilall Kasami, kryetar i Komunës së Tetovës.


Javën e kaluar, Inspektorati Komunal filloi kontrollet në të gjitha institucionet komunale dhe shtetërore. Nga kontrollet e kryera në Komunën e Tetovës u konstatua se vetëm katër shkolla janë të pajisura siç duhet me sisteme kundër zjarrit.