Mucunski: UNESCO e kupton se statusi nuk duhet të pengojë zhvillimin e Ohrit, si projekti për Korridorin 8

TË FUNDIT

Ministri i Punëve të Jashtme, Timço Mucunski tha se gjatë bisedimeve me UNESCO-n, është theksuar fakti se statusi në këtë organizatë nuk duhet ta pengojë zhvillimin e këtij rajoni, përcjell TV21. Mucunski tha se një nga projektet është edhe Korridori 8, pjesë e të cilit kalon nëpër zonat e mbrojtura.

“Ekzistojnë përfundime të përcaktuara nga segmenti i ekspertëve të UNESCO-s, të cilat lidhen me disa çështje, si planifikimi urban dhe mbrojtja e mjedisit, jo vetëm përmes prizmit të planifikimit urban, por edhe nga shumë aspekte të tjera. Korniza e asaj që duhet të bëhet është e qartë, megjithëse disa nga vendimet janë komplekse. Për disa çështje kemi zhvilluar bisedime të drejtpërdrejta me shtetet anëtare të Komitetit, të cilat e kuptojnë se statusi i UNESCO-s nuk duhet të pengojë zhvillimin e Ohrit dhe rajonit të Ohrit. Në këto diskutime janë trajtuar edhe projektet kryesore infrastrukturore, pasi një pjesë e Korridorit 8 kalon nëpër disa nga këto zona. Ne besojmë se kemi krijuar një plan të qartë dhe një koordinim të përbashkët efektiv. Siç dihet, kemi zhvilluar një vizitë në Paris, ndërsa përfaqësues nga disa vende anëtare të Komitetit vizituan vendin tonë dhe Ohrin, ku u mbajtën takime të veçanta me institucionet përkatëse. Kemi udhëzime të qarta për hapat që duhet të ndërmerren dhe komunikimi është përmirësuar ndjeshëm. Vendimi i marrë në Korenë e Jugut na jep një afat më të gjatë për të vepruar sesa në të kaluarën. Gjatë kësaj periudhe, natyrisht, kemi edhe detyrime të rregullta për raportim”, theksoi Mucunski.

Kujtojmë se autoritetet po kërkojnë zgjidhjeje për segmentin Trebenishtë-Qafë Thanë të Korridorit VIII, që prek zonën e mbrojtur të Liqenit të Ohrit.