MPB-ja nuk shpjegon pse Veliut i refuzohet shtetësia/ Dauti: Arsyetimet janë vetëm kapriço e institucioneve

TË FUNDIT

Ministria e Punëve të Brendshme nuk sqaron se përse Rexhep Veliut nga Hasanbegu nuk i takon shtetësia. Edhe pse TV21 kërkoi shpjegim se cilën pikë të nenit 7 të ligjit për shtetësi qytetari Veliu nuk e plotëson, në përgjigjen e tyre na thanë se këto janë të dhëna personale dhe të njëjtat mund t’i kërkojë vetëm personi në fjalë.

“Në lidhje me pyetjen e tuaj drejtuar deri te Sektori për marrëdhënie me publikun dhe çështje strategjike, për personin që kërkon shtetësi të Republikës së Maqedonisë së Veriut, ju informojmë se të dhënat e kërkuara të cilat paraqesin të dhëna personale, mund t’i marrë vetëm personi për të cilin ka të bëjë lënda”- thanë Ministria E Punëve të Brendshme.

Nga MPB thonë se nëse Veliu i plotëson kushtet e nenit 7 të Ligjit për shtetësi mundet që përsëri të dorëzojë kërkesë deri te organet kompetente.

Ky problem për marrjen e shtetësisë siç duket po vazhdon ende, ndonëse lehtësimet u arritën me propozim-ndryshimet e Ligjit për shtetësi të cilat i kishte propozuar opozitarja Aleanca për Shqiptarët. Koordinatorja e grupit parlamentar të Ash-së, Ilire Dauti, tha se arsyetimet se përse një qytetarë nuk mund të pajisjet me shtetësi janë vetëm kapriço të institucioneve.

“Në aspektin juridik nuk ka asnjë pengesë që këta qytetarë pas sjelljes së ligjit të gëzojnë të drejtën për shtetësi. Problemet të cilat i kanë lënë këta qytetarë pa shtetësi janë neglizhencë e njerëzve të cilët për fat të keq  për kohë të gjatë kanë qenë në qeverisje dhe kanë harruar hallin e qytetarit”- pohoi Ilire Dauti, deputet e ASh-së.

Në shpjegimin e MPB-së nëpërmjet neneve dhe paragrafëve të ligjit thuhet se Veliu është i rrezikshëm për shtetin. Për Dautin arsyetimi se një person është i rrezikshëm për shtetin nuk pi ujë më. Ajo inkurajon që qytetarët t’i shkojnë deri në fund të drejtës për shtetësi.

“Unë e inkurajoj personin në fjalë dhe të gjithë të tjerët të cilët në rrugëtimin e vet, në kërkesën e tyre për të kërkuar shtetësi hasin në probleme të këtilla të insistojnë dhe të mos zmbrapsen nga e drejta e tyre tashmë e garantuar edhe me ligj dhe me të gjitha të drejtat edhe nga Konventa ndërkombëtarë të cilat i kemi biseduar atëherë kur ishte e nevojshme”- tha Ilire Dauti, deputete e ASh-së.

Rexhep Veliu nga Hasanbegu i Shkupit 50 vite jeton në Maqedoni, ka shtëpinë e tij e paguan edhe tatime shtetit, por ende nuk po mund të pajisjet me dokumentin e shtetësisë.