Mjekët nuk ndihen të sigurt, kërkojnë ligje më rigoroze!

TË FUNDIT

Me një minut heshtje për mjekun që u vra disa ditë më parë nisi konferenca për media e Odës së mjekëve me Minsitrinë e Shëndetësisë. Me këtë rast Kryetarja e Shoqatës së Mjekëve Privatë Familjarë, Lidija Çollakova-Dervishova tha se në shenjë protestë sot mjekët amë kanë punuar me orar të shkurtuar.

“Sot në shenjë zie, në shenjë respekti për kolegun e vrarë në mënyrë të tmerrshme në moshën 67 vjeçare, mjekët e familjes nga kujdesi primar shëndetësor sot do të jenë jashtë punës nga ora 12:00 deri në orën 16:00, për të ngritur zërin, për të diskutuar për ligje të reja që do të nënkuptonin një mbrojtje më të fortë të personelit shëndetësor, ku dënimet do të ishin më rigoroze, me të vetmin qëllim që personeli shëndetësor të ndihet i sigurt”, tha Çollakova – Dershvishova.

Mjekët thonë se nuk ndihen të sigurt në vendet e punës dhe për këtë arsye kërkojnë nga organet kompetente të sillen ligje ose ndërmerren masa më rigoroze për ta.

“U pamë shkurt me ministrin, i thash që do të kërkoj takim të veçantë për problemet tona, ku ministry tha që dyert janë të hapura për të gjitha temat konstruktive”.

Prezenca e forcave policore do të zvoglonte në mënyrë drastike numrin e sulmeve ndaj personelit mjekësor, vlerëson Ministri i Shëndetësisë Ilir Demiri, i cili apelon që të ngritet vetëdija kolektive për vlerësimin e profesionit të mjekëve.

“Mundet shumë lehtë të zgjidhet, në Qendrën Klinike ka stacion policor që ofrojnë siguri për personelin mjekësor, e kjo duhet të praktikohet në çdo institucion shëndetësor publik. Mendoj se përforcimi i prezencës së policisë do të zvoglonte në mënyrë drastike keqpërdorimin e mjekëve dhe personelit mjekësor”, tha Demiri.

Përndryshe mjeku amë, gjashtëdhjetë e shtatë vjeçar A.K. u gjet i vrarë me thikë mbrëmjen e së enjten në makinën e tij Kia të parkuar pranë poliklinikës “Zhelezara”. Trupi i tij i pajetë, siç bëhet me dije nga MPB-ja dhe Prokuroria Publike, është gjetur nga anëtarët e familjes së tij të ngushtë të cilët kanë shkuar në kërkim të tij pasi nuk është kthyer nga puna në shtëpi.