Ministria izraelite e Financave: Për luftën me Iranin deri tani janë shpenzuar 11,5 miliardë dollarë

TË FUNDIT

Lufta mes Izraelit dhe Iranit ka shkaktuar shpenzime buxhetore prej 35 miliardë shekelësh (11.52 miliardë dollarë), nga të cilat 22 miliardë shekelë janë për mbrojtjen, ka njoftuar sot Ministria e Financave e Izraelit, duke theksuar se bëhet fjalë për vlerësime paraprake.

Shuma tashmë është shtuar në buxhetin për vitin 2026, thuhet në njoftim.

Ministria thekson se konflikti ka sjellë kosto të larta ekonomike dhe paralajmëron se totali mund të rritet nëse luftimet vazhdojnë ose ndodhin incidente të tjera të mëdha të sigurisë.

Sipas ministrisë, rreth 22 miliardë shekelë janë shpenzuar për sistemin e sigurisë, përfshirë ushtrinë, Ministrinë e Mbrojtjes, Ministrinë e Sigurisë Kombëtare që mbikëqyr policinë izraelite dhe agjenci të tjera të sigurisë.

Pjesa më e madhe e shpenzimeve të mbrojtjes është përdorur për blerje pajisjesh, si dhe për mobilizimin e zgjeruar të forcave rezerviste.

Komponenti i dytë më i madh, në vlerë totale prej 12 miliardë shekelësh, mbulon kompensimin për dëmet nga raketat, si dhe pagat e punëtorëve dhe bizneseve.

Rreth 1 miliard shekelë mbulojnë shpenzime civile, përfshirë kujdesin mjekësor dhe pagesat për të plagosurit, financimin e autoriteteve lokale për pajisje dhe reagim emergjent, si dhe shpenzime të lidhura me ndihmën sociale.