Me rastin e 25-vjetorit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, Ministria për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive organizoi një panel-diskutim ku morën pjesë profesorë, ekspertë, ish-diplomatë, politikanë, gazetarë dhe përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile. Ministri Agon Ferati theksoi se ky jubile nuk duhet të jetë vetëm një kthim pas në të kaluarën, por edhe një mundësi për të diskutuar për të ardhmen dhe sfidat që e presin vendin.
“Ky aktivitet nuk është vetëm për shënimin e 25-vjetorit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit. Ai është një mundësi që vëmendjen ta drejtojmë drejt së ardhmes-forcimit të sundimit të ligjit, zhvillimit të një shoqërie më gjithëpërfshirëse dhe, veçanërisht, ndërtimit të kapaciteteve dhe krijimit të më shumë mundësive për të rinjtë”, tha Ferati.
Ai theksoi se të rinjtë janë burimi më i madh i shtetit për krijimin e një shoqërie më të zhvilluar dhe më stabile, si dhe për përmirësimin e standardit të jetesës.
Ferati vlerësoi se takime të tilla mund të kontribuojnë në rritjen e tolerancës, mirëkuptimit të ndërsjellë dhe bashkëpunimit ndërmjet komuniteteve. Sipas tij, dialogu i hapur dhe konstruktiv është i domosdoshëm për krijimin e një kulture të re të marrëdhënieve politike dhe shoqërore.
“Një dialog i tillë i hapur dhe konstruktiv do të ishte një mesazh i fuqishëm për publikun dhe një bazë për ndërtimin e kapaciteteve tona të brendshme për një kulturë të re të dialogut politik dhe shoqëror”, tha Ferati.
Ministri foli edhe për organizimin e aktivitetit, duke theksuar se vetëm 20 ditë pas marrjes së detyrës, së bashku me ekipin e Ministrisë, arritën të organizojnë një diskutim gjithëpërfshirës me pjesëmarrjen e profileve dhe këndvështrimeve të ndryshme. Ferati shprehu pritshmërinë që paneli të ofrojë ide konkrete se si vendi mund të vazhdojë të ndërtojë një shoqëri më gjithëpërfshirëse dhe t’u përgjigjet sfidave në vitet që vijnë.
