-Nuk kemi të dhëna se dikush ka shqetësime gastrointestinale për shkak të pirjes së ujit të pijshëm në Shkup, tha drejtori i Klinikës për Sëmundje Infektive në Shkup, doktor Fadil Cana, i cili u pyet nëse është e vërtetë, siç është shkruar në rrjetet sociale, se ka pasur pacientë me probleme shëndetësore për shkak të ujit të pijshëm në Shkup, përcjell TV21. Sipas tij, numri i rasteve është rritur, por kjo rritje është brenda normales dhe në përputhje me të dhënat e viteve të mëparshme, veçanërisht duke marrë parasysh temperaturat e larta. Ai theksoi se, nëse do të kishte raste të lidhura me ujin, ato do të duhej të evidentoheshin gjatë procedurave diagnostikuese.
“Numri është rritur, por nuk është mbi nivelin normal krahasuar me vitet e mëparshme. Këtu është, dmth është brenda rritjes së pritur, kështu që nuk kemi të dhëna që tregojnë se dikush po përjeton simptoma gastrointestinale për shkak të pirjes së ujit”, tha Cana.
