Zëvendësministri i Shëndetësisë, Jovica Andovski, së bashku me përfaqësuesit e Institutit të Shëndetit Publik, Qendrës së Shëndetit Publik Shkup dhe Klinikës së Sëmundjeve Infektive, në konferencën e sotme për shtyp informuan për situatën epidemiologjike lidhur me ethet e Nilit Perëndimor në vend.
– Po e informojmë publikun në kohë dhe në mënyrë transparente për situatën me ethet e Nilit Perëndimor. Kjo nuk është një sëmundje e re; ajo ka qenë e pranishme edhe gjatë viteve të mëparshme, ndërsa këtë vit, për shkak të situatës aktuale epidemiologjike, numrit të rasteve të konfirmuara dhe aktivitetit të virusit, u paraqit nevoja për një reagim më të fuqishëm institucional. Po e ndjekim situatën në koordinim me Institutin e Shëndetit Publik, Qendrat e Shëndetit Publik, Komisionin për Sëmundje Infektive dhe Klinikën e Sëmundjeve Infektive, me qëllim që rastet të identifikohen dhe të trajtohen në kohë, si dhe të parandalohet shfaqja e rasteve të reja – theksoi Andovski.
Ai porositi se nuk ka vend për panik, por nevojiten kujdes dhe përgjegjësi, përkatësisht qytetarët duhet të ndërmarrin masa për mbrojtje personale, të veshin rroba të përshtatshme dhe të shmangin vendet ku ekspozimi ndaj mushkonjave është më i madh.
Dr. Marija Goçevska nga Instituti i Shëndetit Publik informoi se, deri më 11 gusht, janë regjistruar gjithsej 26 raste, prej të cilave dy janë raste të mundshme. Nga këto, 25 persona janë nga Shkupi dhe një nga Velesi. Sa i përket grupmoshës, dr. Goçevska bëri të ditur se 22 persona janë mbi 60 vjeç.
– Bëhet fjalë për raste autoktone nga vendi ynë, ndërsa një person ka udhëtuar në Greqi. Të gjitha rastet janë me formë neuroinvazive – sqaroi dr. Goçevska.
Drejtori i Klinikës së Sëmundjeve Infektive dhe Gjendjeve Febrile, dr. Fadil Cana, informoi se pacientët po trajtohen në klinikë, e cila disponon kapacitete dhe diagnostikim të përshtatshëm.
– Katër pacientë konsiderohen si raste të dyshuara dhe procedura diagnostikuese është në vijim. Tetë pacientë janë liruar për mjekim në shtëpi, por, për fat të keq, duhet të informoj se një pacient 83-vjeçar ka ndërruar jetë. Pacienti vuante edhe nga sëmundje të tjera – theksoi dr. Cana.
Dr. Zlatko Arsienievski nga Qendra e Shëndetit Publik Shkup informoi se dje u shpall epidemi në disa komuna të prekura të qytetit të Shkupit, si Kisella Voda, Gazi Babë, Aerodrom, Butel dhe Ilinden, si dhe në vendbanimet e prekura Draçevë, Përzhinë, Lisiçe e Poshtme, Kadino dhe Jurumleri.
Ministria e Shëndetësisë do të vazhdojë ta informojë publikun në kohë dhe në mënyrë transparente për të gjitha ndryshimet relevante në situatën lidhur me këtë sëmundje.
