Vetura Fiat Panda godet avionin në Aeroportin “Milano Linate”

TË FUNDIT

Një incident i pazakontë është regjistruar më 10 gusht në aeroportin Milano Linate, ku një automjet shërbimi u përplas me një avion privat që po lëvizte në pistë.

Ngjarja ndodhi rreth orës 11:20, kur një Fiat Panda, në pronësi të një kompanie shërbimi, hyri në trajektoren e një avioni Hawker Beechcraft 400A, i cili po taksonte në aeroport.

Pamjet e incidentit tregojnë momentin kur automjeti përplaset me pjesën e përparme të avionit. Si pasojë, makina pësoi dëmtime të konsiderueshme në pjesën anësore, ndërsa avioni u dëmtua në zonën e hundës dhe radomes.

Fatmirësisht, nga përplasja nuk pati persona të lënduar. Menjëherë në vendngjarje ndërhynë ekipet e emergjencës dhe zjarrfikësit, të cilët kontrolluan avionin dhe verifikuan nëse kishte rrjedhje karburanti apo dëmtime të tjera që mund të përbënin rrezik.

Incidenti shkaktoi ndërprerje të përkohshme të operacioneve në aeroport, për rreth 30 deri në 40 minuta. Dy fluturime u devijuan drejt aeroporteve të tjera, ndërsa një avion privat u mbajt përkohësisht në pritje.

Shkaqet e përplasjes mbeten ende nën hetim. Autoritetet po shqyrtojnë disa mundësi, përfshirë shpërqendrimin e drejtuesit të automjetit apo një problem të mundshëm shëndetësor, por deri tani asnjëra prej këtyre hipotezave nuk është konfirmuar zyrtarisht.