Ministri i Administratës Publike Goran Minçev nga radhët e ZNAM është i prerë se diaspora nuk do të llogaritet në balancues gjatë punësimeve, me çka numri i shqiptarëve në administratë do të ulet. Në pyetjen se pse ka vendosur kështu, tha se vetëm po vepron sipas ligjit.
“Nuk ka asgjë që është e qëllimshme – ose do të respektohet ligji ose nuk do të zbatohet. Unë si ministër do të respektoj ligjin dhe do ta bëj deri në presjen e fundit. Në nenin për llogaritjen e balancuesit rreptësisht thuhet se i referohet ekskluzivisht popullatës rezidente në territorin e Maqedonisë. Kjo do të thotë se të gjithë banorët që jetojnë në territorin e Maqedonisë do të jenë në kalkulimin e balancuesit”, tha Goran Minçev.
Kryetari i Alternativës, Zeqirija Ibrahimi, nga koalicioni VLEN u shpreh se nuk kanë argument për ta kundërshtuar Minçevin, pasi sipas tij, dikush para tyre këtë çështje nuk e ka rregulluar me ligj.
“Ne duhet ta kuptojmë se kur flasim për shtet nuk mund të funksionojë gjithmonë sipas vullnetit të mirë, sepse ekzistojnë ligjet, ekziston kushtetuta, ekzistojnë rregulloret mbi të cilat ndërtohet shteti. Kur kemi pastaj shembuj të vullnetit të mirë sikur është sot rasti i këtij ministri, ne nuk e kemi argumentin ligjor të themi që po e shkel ligjin sepse dikush para nesh nuk ka bërë ligj”, deklaroi Zeqirija Ibrahimi.
Zëvendëskryeministri i parë Izet Mexhiti një ditë më parë i çoi porosi Minçevit që mos të merret me provokime por të merret me prioritet e programit qeverisës.
“Ministrit Minçev do t’i bëjë thirrje, njëherë ai ka problem me zyrat e tij, ka problem ku do të vendoset, si do të vendoset. Ka shumë prioritete dhe e kisha lutur që mos të merret që në fillim me provokime dhe atë se sa shqiptarë do të punësohen”, deklaroi Izet Mexhiti.
“Shpresoj se kolegët e VLENIT do të mbushen me mend të harxhojnë më shumë vëmendje në leximin e ligjeve aktuale dhe do të përkushtohen në zbatimin e këtyre ligjeve, dhe nuk do të merren me tema të politikave ditore”, tha Minçev.
Minçev gjithashtu sot ka tërhequr nga procedura parlamentare Ligjin për zyrtarët administrativë, Projektligjin për të punësuarit në sektorin publik dhe projektligjin për zhvillimin profesional dhe aftësimin e zyrtarëve administrativë.
