Mickoski pranon se ishte brenda në lokal: S’isha i njoftuar mirë me protokollin

TË FUNDIT

Është qartësuar dilema se cili lider i partisë politike ka qenë në lokalin në të cilin për më shumë se dy orë ishin penguar të hynë inspektorët e Inspektoratit të Tregut në lagjen “Debar Maalo”. Në rrjetin social “Fejsbuk”, lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski ka njoftuar se ka qenë ai.

Pranon se ka bërë shkelje dhe thotë se është i gatshëm ta paguajë gjobën, ndërkaq thotë se shkelja ka ardhur si pasojë se nuk ka qenë i informuar mirë me protokollin për rihapjen e objekteve hotelierike.

“Po, është e vërtetë se kam qenë me dy të njohur të mi në një restorant në Debar Maalo, për herë të parë pasi u largua ndalesa për vizitë të objekteve hotelerike, për çfarë edhe nuk kam qenë mjaftueshëm i informuar me protokollin e ri. Nëse ky është gabimi im më i madh jam i gatshëm ta paguaj gjobën. Nuk mendoj se njerëzit nuk dinë të bëjnë gabime, me rëndësi është gabimi të mos jetë i tillë që t’i bëj keq ndokujt, ta dëmtojë dikë, të jetë e pakorrigjuar”, shkroi mes tjerash Mickoski në “Fejsbuk”.

Përndryshe, udhëheqja e sektorit për inspektim në Inspektoratin e Tregut, Meri Proja Prodanovska nëpërmjet një konference për shtyp të jashtëzakonshme ka njoftuar se inspektorët për më shumë se dy orë janë penguar të inspektojnë në një lokal në “Debar Maalo”, duke thënë se lokali është i mbyllur, e kurse brenda tij është vërejtur lëvizje e njerëzve dhe inspektorët kanë vërejtur se njëri prej tyre është edhe një lider i partisë politike, emrin e të cilin nuk e tregoi Proja Prodanovska.