Nëse Gruevski paraqitet në Maqedoni, ai do të dërgohet në burg për të vuajtur dënimin, deklaroi kryeministri Hristijan Mickoski. Këtë e tha pasi kryeministri i ri i Hungarisë, Peter Magyar, i cili e rrëzoi nga pushteti Viktor Orbanin dje paralajmëroi hapur se do ta “pastrojë” shtetin nga, siç tha, kriminelët ndërkombëtarë, duke përmendur edhe Nikolla Gruevskin, për të cilin tha se do të gjejë mënyrë për ta ekstraduar.
“Nëse Nikolla Gruevski paraqitet në Maqedoni, ai ka një vendim të formës së prerë dhe menjëherë pas paraqitjes së tij në Maqedoni, organet e rendit do ta sigurojnë dhe do ta dërgojnë për vuajtje të dënimit me burg, në përputhje me vendimin e formës së prerë. Ne jemi një Qeveri për të cilën vlejnë të gjitha ligjet dhe një Qeveri që duhet t’i respektojë ligjet dhe institucionet e shtetit, dhe çdo person ka të drejtë t’i përdorë institucionet, t’i shfrytëzojë të drejtat e tij, të parashtrojë ankesa e kështu me radhë”, u shpreh kryeminstri i vendit, Hristijan Mickoski.
Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, e përshëndeti vendimin e Magyar dhe tha se Gruevski duhet të kthehet dhe të japë llogari, duke pyetur nëse Ministria e Drejtësisë ka dorëzuar kërkesë për ekstradimin e tij. Filipçe gjithashtu akuzoi se kredia nga Hungaria dhe marrëveshjet e tjera në fushën e telekomunikacionit dhe energjetikës janë për interesa personale të Mickoskit.
“Ka ardhur koha për përgjegjësi. Të gjitha këto marrëveshje duhet të hetohen në detaje. Qytetarët e Maqedonisë duhet të dinë kush saktësisht qëndron pas mediave, telekomunikacionit, kredive, infrastrukturës dhe të gjitha vendimeve që janë marrë në emër të tyre. LSDM do të kërkojë hetim të plotë për të gjitha kombinimet biznesore mes Orbanit dhe Mickoskit”, deklaroi Venko Filipçe – kryetar i LSDM-së.
LSDM po jeton si “Liza në botën e çudirave”, pra në vendin e gënjeshtrave dhe konstruksioneve, u përgjigj Mickoski. Marrëveshja për operatorin e tretë mobil është një procedurë publike në të cilën 4iG është paraqitur në thirrjen e hapur të Agjencisë për Komunikime Elektronike, tha ai.
“Lirisht mund të kërkojnë, do të marrin gjithçka që institucionet mund t’u japin si parametër. Kompania 4iG, e cila meqë ra fjala është partnere me gjermanin Rheinmetall dhe me SpaceX të Elon Musk, ka paguar tashmë 9 milionë euro dhe ka fituar të drejtën për të qenë operatori i tretë mobil”, theksoi Hristijan Mickoski – kryeministër i vendit.
Mickoski më në fund sot ia uroi fitoren Magyarit edhe këtë e bëri gjatë përgjigjeve ndaj pyetjeve të gazetarëve. Ai gjithashtu tha se nuk pret absolutisht ndryshim të marrëdhënieve me Hungarinë.
