Mickoski konsultohet për referendum. Ende nuk është konkrete për çfarë do të organizohet dhe si do të jetë pyetja

TË FUNDIT

Hristijan Mickoski këto ditë do të bëjë analiza me ekspert për referendumin e paralajmëruar, përkatësisht, siç thotë ai, të saktësojë pyetjen për të cilën qytetarët do të japin mendimin e tyre nëse e pranojnë protokollin bilateral me Republikën e Bullgarisë. Sipas tij, protokolli i nënshkruar dje nga ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, është kapitullim dhe nokaut diplomatik.

“Kur të dalim para  qytetarëve me një kërkesë të caktuar, ajo duhet të jetë e bazuar në fakte dhe ligjore, por edhe të mos kemi vend për interpretime shtesë se mund të kuptohet kështu apo të kuptohet kështu. Prandaj në periudhën në vijim do ta shfrytëzoj edhe për t’u konsultuar me ekspertë të kësaj fushe dhe të së drejtës kushtetuese, ka shumë që janë rreth meje, por ata që nuk janë rreth meje, për të përcaktuar qartë pyetjen dhe ta definojmë metodologjinë me të cilën do të dalim para qytetarëve”, tha Mickoski.

Mickoski e paralajmëroi referendumin pas votimit të propozimit francez në Kuvend, por edhe pas nënshkrimit të djeshëm të protokollit bilateral ndërmjet Maqedonisë dhe Bullgarisë. Por çfarë saktësisht do t’i referohej referendumit? Mickoski nuk ishte preciz, ai thotë se korniza e propozuar e negociatave duhet të pësojë ndryshime.

“Kërkojmë që ai të ndryshohet në nenin 5 paragrafi 4, ku tani siç është, i referohet marrëveshjes dypalëshe dhe protokollit që ka nënshkruar Bujar Osmani dhe protokolleve që do të nënshkruajë. Këtu duhet të kërkojmë thelbin e gjithë kësaj”, tha Mickoski.

Nga LSDM thonë se nuk e kanë plotësisht të qartë se çfarë mendon Mickoski kur thotë se do të kërkojë deklaratë nga populli.

“Unë do të bëj një pyetje retorike, për çfarë kërkon Mickoski referendum? Kuvendi para disa ditësh ka miratuar konkluzionet me të cilat obligohet Qeveria, kjo dhe çdo Qeveri e ardhshme, se gjatë negociatave me BE-në nuk do të lejohet të negociohet për gjuhën, identitetin dhe historinë maqedonase dhe se çështjet bilaterale nuk janë pjesë  e kornizës së negociatave. A ka rëndësi kjo për VMRO-DPMNE-në dhe Mickoskin?”, tha deputeti i LSDM-së Nenad Kociq.

Për të organizuar një referendum, Mickoski fillimisht duhet të mbledhë 150.000 nënshkrime në mbështetje të një deklarate publike.