Izet Mexhiti, bashkëkryetar i VLEN-it ka reaguar pas përfundimit të zgjedhjeve në Bërvenicë. Nëpërmjet një shkrimi në profilin e tij në Facebook, Mexhiti deklaroi se Bërvenica tashmë ka kryetar të ri dhe se fushata dhe festa pas zgjedhjeve, sipas tij “trajtohen si folklor para dhe paszgjedhor”.
Më tej Mexhiti thotë:
“Zgjedhjet mbaruan. Sot Bërvenica ka kryetar komune, ndërsa jeta vazhdon dhe të gjithë ne u kthehemi obligimeve tona.
Deklaratat nxitëse gjatë fushatës i kam konsideruar si folklor parazgjedhor. Në po atë frymë, deklaratat polarizuese që dëgjova mbrëmë dhe sot i trajtoj folklor paszgjedhor. Votat janë shprehje e lirë e vullnetit të qytetarëve dhe askush nuk i ka në pronësi ato. Në politikë, pozicionimi kundër të gjithëve nuk është strategji që çon drejt suksesit, por një qasje që herët a vonë prodhon zhgënjim” shkruan Mexhiti.
Më tej ai shton se në: “Në demokracitë multietnike nuk guxon të ekzistojë ndarje në ‘ne’ dhe ‘ata’, sepse kjo implikon pabarazi dhe tendenca për të suprimuar tjetrin. Dialogu dhe bashkëpunimi në çdo shoqëri janë imperativ dhe parakusht për funksionim të mirëfilltë. Në shoqëritë multietnike, ky dialog është detyrim i të gjithë aktorëve shoqërorë.
Prandaj, nuk kemi pse të merremi me folklorin e zakonshëm postzgjedhor, me arsyetimet dhe interpretimet që u serviren qytetarëve sa herë që rezultatet nuk përputhen me pritshmëritë e dikujt. Qytetarët vendosin me votë, ndërsa politika duhet të dijë të marrë përgjegjësi për qëndrimet dhe veprimet e veta”.
