Mickoski dhe Gruevski në luftë të hapur/ BDI: VMRO-DPMNE është në betejë të brendshme mes integrimit dhe izolimit

TË FUNDIT

“Më vjen keq që vendose të bësh parodi publike dhe të shërbesh për shpërqendrim nga krimi i kësaj qeverie kriminele dhe të kuptoj, por nuk mund të të arsyetoj”. Kështu kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski përmes publikimit në Facebook iu përgjigj paraardhësit të tij Nikolla Gruevski në lidhje me akuzat e ndërsjella për marrëveshje të fshehta për ndryshimet kushtetuese. Mickoski dje në intervistë për gazetën gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung” akuzoi Gruevskin se po bën marrëveshje të fshehtë me pushtetin aktual që të shpëtojë nga përndjekja penale përmes ndryshimeve të Kodit Penal ndërsa në këmbim të sigurojë mbështetje për votimin e ndryshimeve kushtetuese.

 

“Nuk guxon të ketë pazare dhe marrëveshje nën tavolinë për Maqedoninë. Nuk është viti 2018, tani është kohë tjetër. Kur thoshte “E vërteta është gozhdë, herët apo vonë do të dalë”, ndërsa të vërtetën e dimë edhe unë edhe ti, por siç duket e dinë edhe të tjerët që po e thonë ditëve të fundit publikisht, pak a shumë zëshëm dhe qartë.”- deklaroi Hristijan Mickoski, Kryetar I VMRO-DPMNE-së.

 

 

Se po bëhen pazare mes pushtetit dhe Gruevskit, e pohon edhe Antonio Milloshovski i cili tha se Kovaçevski dhe Ahmeti kanë negociuar për amnistinë e Gruevskit me qëllim që të copëtohet VMRO-DPMNE, ndërsa ai të ndihmojë që të votohen ndryshimet kushtetuese.

 

“Agjenda e LSDM-së dhe BDI-së në periudhën që vijon është me dy qëllime primare politike. Njëri qëllim është që të shpëtojnë funksionarët dhe të ketë amnisti për ata që kanë vjedhur dhe kanë keqpërdorur funksionin, ndërsa qëllimi i dytë është që ta shfrytëzojnë Gruevskin për fragmentimin e VMRO-DPMNE-së dhe me këtë të lehtësohet eventualisht miratimi i ndryshimeve kushtetuese. Ne dërgojmë porosi edhe deri te VMRO-DPMNE edhe deri te BDI dhe klientët e tyre të mos e nënvlerësojnë VMRO-DPMNE-në, të mos e nënvlerësojnë popullin, partia është e bashkuar, grupi i deputetëve është i bashkuar.”- tha Antonio Milloshovski, VMRO-DPMNE.

 

 

Reagimi i tillë vijon pasi që paraprakisht Gruevski përmes Facebook drejtpërdrejtë i bëri thirrje Mickoskit që të përgjigjet nëse për me të vërtetë ka deklaruar për gazetën gjermane se po mundohet ta copëtojë partinë dhe nëse ka prova për këtë gjë.

 

“A është e vërtetë atë që ke thënë për median gjermane. Nëse është e vërtetë, atëherë a mundet pikërisht ai personalisht publikisht të thotë cili është hapi im, deklarata, shkresa apo çfarëdo qoftë se unë jam munduar ta copëtojë partinë dhe të jap provë se unë kam pranuar lojë të ndyrë me pushtetin që duhet ta zbatojë me ndihmën e mbështetësve të mi në parti.”- reagoi Nikolla Gruevski, ish kryetar i VMRO-DPMNE-së.

 

 

Në lidhje me këtë u prononcua edhe BDI. Prej atje përmendin edhe intervistën e Ahmetit të dhënë për TV21, ku ai thotë se ndryshimet e Kodit Penal fillimisht janë kërkuar nga VMRO-DPMNE.

 

“Kodi Penal ishte kërkesë edhe e kryetarit të ri të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, por pas distancimit të tij nga ish udhëheqësia e VMRO-DPMNE-së dhe edhe përkundër pajtueshmërisë së LSDM-së, ai u tërhoq nga kjo kërkesë.”- thanë nga BDI.

 

 

Ahmeti në intervistë për TV21 zbuloi se për ndryshimet e Kodit Penal ai ka pasur takime të fshehta me Zaevin dhe Gruevskin. Deklaratën e tillë për takime e demantuan edhe Zaevi edhe Gruevski.