Me traktorë dhe mekanizëm bujqësor nëpër rrugë, bujqit nga rajoni i Strumicës sot përsëri kërkuan çmim më të lartë për prodhimin e tyre.
Protesta vjen për shkak të pakënaqësisë së bujqve me çmimin e blerjes prej 25 denarësh për kilogram të specit të ajvarit, të destinuar për industrinë e konservimit dhe përpunimit.
Ata thonë se çmimi nuk i mbulon kostot e prodhimit, veçanërisht pasi vitin e kaluar klasa e parë dhe e dytë bliheshin me 35 dhe 40 denarë, ndërsa këtë vit kostot janë më të larta dhe ka dëme nga fatkeqësitë natyrore.
“Të bëhet korrigjimi i çmimit. Këto çmime aktuale që janë, tani që po blihet “Kurtovska Kapija”, janë shumë të ulëta. Kjo është definitivisht vetëm që bujku t’i mbulojë shpenzimet. Fitim, gjithë dimrin, do të thotë, materiale të reja për prodhim, që të fillojë përsëri të punojë nuk do të mundet. Plus nga vetë stuhia, nga erërat që ishin, që e goditën këtu komplet, kjo nuk ishte erë, kjo ishte uragan me 100 kilometra në orë, serrat janë diku, të themi, 40 deri në 50 për qind të shkatërruara”, tha një bujk nga Rajoni i Strumicës.
Pas tri ditësh protesta në Murtino, Robovë dhe Strumicë, bujqit thonë se mosmarrëveshja për çmimin e blerjes mbetet e pazgjidhur. Për kultivuesit, problemi nuk është vetëm çmimi aktual, por edhe nëse në kushte të tilla në përgjithësi mund të vazhdohet me prodhimin bujqësor.
“Kërkesat janë që të korrigjohet çmimi. Se me atë çmim nuk mbijetohet. Me 25 denarë, fabrika që blen, kjo është për të ardhur keq dhe mëkat. Dhe, pak a shumë, ne jemi të fundit, ja në moshën 50-vjeçare tashmë jemi ne, pas nesh vështirë se disa të rinj do të qëndrojnë këtu për ta bërë këtë punë”, tha një bujk tjetër.
“Siç ishte, e para – e dyta ishte 40 – 45 vitin e kaluar. Çfarë u zvogëlua tani që të zvogëlohet çmimi? Të gjitha neve na janë rritur. Asgjë nuk na është zvogëluar. Kaq, presim të paktën që të jenë çmimet e vitit të kaluar”, shtpi një bujk tjetër.
Nëse nuk arrihet një çmim me të cilin do të mbulohen kostot e prodhimit, bujqit paralajmërojnë protesta dhe bllokada të reja nga e marta.
“Ministri dje në takim premtoi se do të ndërmarrë diçka që t’i rrisë çmimet. Nëse nuk ndërmerret diçka deri të hënën, ne do të organizojmë protesta edhe më masive në më shumë vende, derisa të ketë rezultat”, u shpreh bujku nga Rajoni i Strumicës.
Përveç çmimit më të lartë të blerjes, bujqit kërkojnë edhe pagesën e subvencioneve. Ministri i Bujqësisë, Borçe Serafimovski, ka zhvilluar takim me kultivuesit dhe blerësit dhe deklaroi se çmimin e diktojnë kushtet e tregut, por blerja duhet të jetë ligjore dhe transparente.
