Mexhiti do t’i shfuqizojë drejtorët ekonomik : “Për presionet politike, aspak nuk më intereson”

TË FUNDIT

Nga 1 janari i vitit 2024 Qendra klinike “Nëna Terezë” në Shkup pritet të funksionojë vetëm me një drejtor të përgjithshëm, duke i hequr kështu të gjithë drejtorët e vendosur në klinikat përbërëse të Qendrës klinike. Mexhiti tha se ky sistem ka funksionuar para 20 viteve në vend dhe ka qenë efikas, prandaj edhe do të rikthehet.

 “Që nga dita e parë punoj intesivisht për këtë problem dhe ky problem është telashi më i madh që dua ta zgjedh si kabinet dhe si ministri dhe njëherë e përgjithmonë të vendosen punët ashtu siç duhet në Qendrën klinike dhe të funksionojë shumë më lehtë, në mënyrë më adekuatë dhe të jetë më efikase. Informacioni është gati në marrëveshje me Fondin me sigurim shëndetësor… Pritet që nga 1 janari 2024 të fillojë të punojnë një Qendër klinike me një drejtor të përgjithshëm ose sido që të jenë modalitetet për këtë do të merremi vesh në të ardhmen”, tha Fatmir Mexhiti, ministër i Shëndetësisë.

E Mexhiti mezi po pret që t’i largojë nga funksioni edhe drejtorët organizativ ose në opinion të njohur si drejtor ekonomik. Mexhiti tha se shumica e tyre deri tash kanë punuar në humbje dhe nuk dinë as çfarë punojnë.

 “Ligjërisht nuk quhen drejtor ekonomik po organizativ dhe po, mezi pres që kjo të ndodh, më besoni. Do të jetë shumë transparente, efikase dhe cilësore në të ardhmen. Nuk do të punohet me 20 milionë euro humbje, që nuk dinë se çfarë punojnë. Do të dihet saktë, do të furnizohen gjërat me qëllim të caktuar, në sasi dhe me çmim më të lirë dhe do të ketë bashkëpunim më të mirë në mes klinikave”, deklaroi Fatmir Mexhiti, ministër i Shëndetësisë.

Zakonisht në këto poste drejtorësh janë vendosur kuadro politike nga partitë në vend, por Mexhiti tha se nuk i bëhet vonë as për presionet e mundshme që mund t’i ketë pas këtij veprimi.

 “Për presionet politike, aspak nuk më intereson sepse rruga që na çon drejt BE-së dhe skriningjet, disa ambasadorë nga BE dhe vetë ambasadori i Bashkimit Europian e kërkojnë këtë si skrining. Nëse synojmë për këtë rrugë që të shkojmë drejt BE-së nuk kemi rrugë tjetër, kjo duhet të bëhet njëherë e përgjithmonë që shëndetësia të funksionojë siç duhet”, pohoi Fatmir Mexhiti, ministër i Shëndetësisë.

Mexhiti ndryshimet që do të ndodhin në Qendrën klinike i vlerësoi si një veprim i mirë që do të sjell shërbim më të mirë shëndetësor, dhe funksionalitet më të madh te punonjësit shëndetësor.