Mësojnë online, por jo për shkak të Covid-19, puna për instalimin elektrik në shkollë nisi me vonesë

TË FUNDIT

Kështu duket aktualisht shkolla e mesme e ndërtimtarisë “Zdravko Cvetkovski” në Shkup.

Vitin e kaluar gjatë pandemisë nxënësit mësuan online, si gjithë të tjerët, por tani kur të gjithë janë rikthyer me prezencë fizike, këtu vazhdohet me online, ndërsa vetëm orët praktike me prezencë.

Arsyeja është se po punohet për instalimin e ri elektrik.

Edhe pse nxënësit nuk kanë qenë prezent në shkollë për disa muaj përgjatë pushimit veror, punimet po vijojnë tani, kur ka nisur viti i ri shkollor. Punimet kanë nisur në korrik, ndërsa është dashur të fillojnë nga prilli kur Qyteti i Shkupit e ka pranuar projektin, mirëpo matura shtetërore dhe regjistrimet e nxënësve e kanë prolonguar procesin tha zëvendësdrejtori i shkollës Tesnim Etemi.

 “Problem është se kishim regjistrim të nxënësve deri me 29 qershor dhe protokollet e Covid janë se nuk duhet të pranohen punëtorët nga jashtë, pra nuk guxojnë të hyjnë në shkollë. Për këtë arsye u vonua fillimi i punëve, por shpresoj se me një tetor fillojmë me mësim fizikisht”, tha Tesnim Etemi, zëvendësdrejtor.

Për ministren e Arsimit dhe Shkencës, Milla Carovska më me rëndësi është se po punohet dhe po përmirësohen kushtet dhe cilësia e mësimit.

 “Sigurisht procedurat kanë nisur në kohë, por janë procedura teknike që kërkojnë miratim e kështu me radhë. Pas përfundimit të punëve me rekonstruimin, të cilat janë në interes të nxënësve dhe arsimtarëve, kushte më të mira për shkolla janë gjithnjë të mirëseardhura për çdo shkollë, që të mund të arrihen standardet dhe cilësia në mësim, duhet që infrastruktura e shkollave të përmirësohet. Mendoj se sapo të mbarojnë punët nxënësit do të kthehen në klasa dhe do të vazhdojnë me mësim me prezencë fizike”, deklaroi Milla Carovska – ministre e Arsimit dhe Shkencës.

Përndryshe drejtoresha e shkollës Atina Tomovska i tha TV21 se që në vitin 2019 në Qytetin e Shkupit e kanë dorëzuar në projektin për ndryshimin e instalimit elektrik, për shkak se kanë problem me rrymën, që u vështirëson përdorimin e ditarit elektronik. Pyetëm në Qytetin e Shkupit se përse pikërisht këtë vit kanë nisur të zbatohet projekti, e prej atje vetëm na thanë se procedurat e tenderimit kanë përfunduar në muajin prill dhe se tani 90% e aktiviteteve kanë përfunduar dhe se nga fillimi tetorit do të jetë gati.