Shkaku i pandemisë, procesi mësimor në tërë vendin po zhvillohet online. Opozita ka hedhur kritika ndaj Qeverisë dhe MASH, për kushtet dhe strategjinë e mësimit online. Mbrëmë në emisionin Click Plus, Flakron Bexheti nga Aleanca për shqiptarët e quajti dështim total këtë proces, ndërsa kritikoi edhe për mossigurimin e kushteve për ta mbajtur mësimin nga distanca.
“Shihet një mangësi e madhe e kushteve që Ministra e arsimit nuk ka arritur ti sigurojë. Është një dështim total do të thosha i kësaj Ministrie bashkë me Qeverinë, e cila nuk ka parë asnjë strategji afatshkurtre se si të përballet me këtë krizë”, tha Flakron Bexheti, ASH.
Por më këtë nuk pajtohet Ministri i Arsimit, Arbër Ademi. Ai fton përfaqësues të ASH-së në Ministrinë e arsimit dhe të njoftohen me proceset e punës së ministrisë.
“Ju personalisht dhe cilin të doni tjetër prej partisë suaj, prej ndonjë organizate jo qeveritare apo ndonjë institucioni tjetër mund të vini në Ministrinë e Arsimit dhe shkencës dhe çdo dokumentacion jo vetëm në periudhën time por edhe në periudhën paraprake do të jetë në dispozicionin tuaj. Unë e kuptoj se nuk mund të dilni nga ajo retorike boshe e partiake për motive të ulta të politikës ditore. Nuk është e vërtetë se qeveria dhe MASH nuk ka strategji”, tha Arbër Ademi, Ministër i Arsimit.
Për Edmond Ademin e LSDM-së dhe Arjanit Hoxhën nga Besa mësimi online tani për tani është në rregull dhe por se mund të ketë ndonjë rast kur ndonjë mësimdhënës është i papërgjegjshëm.
“Varet shumë shkolla nga shkolla, arsimtari nga arsimtari. Unë nuk them se gjitha janë ashtu apo gjithë janë kështu. Por kur flasim për fëmijët e mi mund të them se kanë një aktivitete ditorë në drejtim të mësimit online”, tha Edmond Ademi, LSDM.
“Shqetësimin që e ka ngritur deputeti Muamed Zekiri, është më tepër në drejtim të asaj se mund të qëllojnë edhe disa arsimtarë të pa përgjegjshëm të cilët edhe nuk e respektojnë, nuk mund ti fusim të gjithë në të njëjtin grup dhe në të njëjtën kategori”, tha Arjanit Hoxha Besa.
Ndryshe Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka përgatitur një pako masash arsimore të cilat do të shqyrtohen në njërën nga seancat e ardhshme të Qeverisë. Në pakon e masave do të jetë edhe vendimi se kur do të mbahen regjistrimet e fëmijëve në klasë të parë, nxënësve në shkolla të mesme dhe studentëve nëpër fakultete.
