Shembet pjesërisht një ndërtesë 7-katëshe në Stamboll, shpëtohen 5 persona

TË FUNDIT

Tre katet e para të një ndërtese shtatëkatëshe u shembën mëngjesin e sotëm në lagjen Maltepe, në pjesën aziatike të Stambollit. Nga rrënojat janë nxjerrë të gjallë pesë persona, mes tyre edhe dy fëmijë, raportoi agjencia Anadolu.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 05:40 në rrugën “Dogu”. Shkaku i shembjes ende nuk dihet. Menjëherë në vendngjarje janë dërguar zjarrfikës, policia, ekipet e AFAD-it dhe ekipet mjekësore.

Fillimisht, ekipet e shpëtimit evakuuan banorët që ndodheshin në katet e sipërme, të cilat nuk ishin dëmtuar. Më pas nisi kërkimi për persona të mundshëm nën rrënoja. Në momentin e shembjes, punishtja e tekstilit në katin përdhes ishte bosh.

Me ndihmën e qenve kërkues, ekipet e shpëtimit nxorën nga rrënojat pesë persona, përfshirë dy fëmijë. Të plagosurit u dërguan në spitalet e afërta. Gjatë ndërhyrjes, një zjarrfikësi iu përkeqësua gjendja dhe edhe ai u transportua në spital.

Në operacionin e shpëtimit janë angazhuar një numër i madh pjesëtarësh të shërbimeve. Shërbimi zjarrfikës ka angazhuar 175 persona, 56 automjete dhe qen kërkues, ndërsa AFAD-i është në terren me 25 persona, pesë automjete dhe dy qen kërkues.

Policia ka mbyllur rrugët përreth dhe ka siguruar zonën për të mundësuar punën e ekipeve të shpëtimit. Për shkak të rrezikut nga shembja e mëtejshme, ekipet po hyjnë në objekt me masa të shtuara sigurie.

Në vendngjarje ka mbërritur edhe guvernatori i Stambollit, Davut Gyl, së bashku me shefin e policisë së Stambollit, Selami Jëlldëz.

Gyl tha se ndërtesa ishte ndërtuar në vitin 1987 dhe përbëhej nga një hapësirë afariste në përdhes dhe gjashtë kate banimi, me gjithsej 12 njësi banimi.

Ai theksoi se shkaku i shembjes do të përcaktohet përmes procedurave gjyqësore dhe administrative. Ndërkohë, operacioni i shpëtimit vazhdon nën koordinimin e AFAD-it, ndërsa banorët e evakuuar do të sistemohen në një hotel të siguruar nga agjencia.