Grupi i parë i minatorëve ka arritur të dalë rreth mesnatës nga miniera e Trepçës, përmes shkallëve emergjente, ndërsa energjia elektrike ende nuk është rikthyer.
Burime brenda minierës kanë bërë të ditur për KosovaPress se fillimisht 63 minatorë kanë mbetur të ngujuar në minierë.
Sipas burimeve, aktualisht nuk dihet numri i saktë i minatorëve që kanë nisur të dalin nga miniera. Për shkak të mungesës së energjisë elektrike, dalja e minatorëve u bë përmes shkallëve emergjente. Në këtë mënyrë po dalin minatorët që janë në gjendje më të mirë fizike.
Paraprakisht, ministrja e Ekonomisë në Kosovë, Artane Rizvanolli, ka njoftuar se minatorët që ndodhen brenda minierës së Trepçës pas një defekti në pajisjet elektrike janë në gjendje të mirë.
Numri i tyre raportohet të jetë 63 sosh. Rizvanolli ka bërë të ditur se minatorët janë pjesë e ndërrimit të dytë, i cili përfundon në orën 23:00.
“Sipas informatave nga menaxhmenti i Trepçës, minatorët që ndodhen brenda minierës pas defektit në pajisjet elektrike janë në gjendje të mirë. Ata janë pjesë e ndërrimit të dytë, i cili përfundon në orën 23:00”.
“Ekipet teknike po punojnë për sanimin e defektit dhe rikthimin e furnizimit me energji. Ndërkohë, po organizohet dalja graduale e minatorëve përmes daljes emergjente. Menaxhmenti është në vendngjarje, ku kanë qenë edhe policia dhe zjarrfikësit”, ka thënë Rizvanolli.
