Numri i të infektuarve mund të biej me ngritjen e temperaturës, ndërsa nëse kemi valë të dytë, vitin tjetër mund të kemi vaksinim të përgjithshëm. Kështu ka parashikuar zëvendëskryeministri Bujar Osmani në emisionin EU Click, duke folur për gjendjen aktuale me Covid-19. Megjithatë ai tha se këto janë vetëm parashikime për të cilat nuk mund të garantojë askush.
“Është një parandjenjë e ime që me temperaturat e larta të qershorit dhe korrikut do të fillon të bie numri. Nëse në ndërkohë do të kemi vaksinë, ka fundi i vitit, tetor, nëntor, do mund t’i vaksinojnë personelin shëndetësor, që të mbrojmë ata. Pastaj, eventualisht, nëse paraqitet në valë e re dhe pastaj vaksinimi i përgjithshëm ndodh diku vitin e ardhshëm, por gjitha këto janë projeksione për të cilat askush nuk garanton”, tha Bujar Osmani – Zëvendëskryeministër.
Osmani foli edhe për orën policor, me çka tha se ndalimi i lëvizjes për 2 javë, është mënyra më e mirë për të frenuar përhapjen e Covid-19. Sipas tij, nëse nuk do të merreshin këto masa, numri i të infektuarve do të ishte shumë më i madh.
Nga ana tjetër infektologu Fadil Cana tha se anketa epidemiologjike nga mjeku amë është shumë e rëndësishme, pasi siç tha ata të cilët kanë simptome, por jo të Covid-19, nuk duhet të paraqiten në infektologji.
“Në këtë klinikë çdo e ardhme e pacientit i cili ka një anketë absolute epidemiologjike negative, nuk duhet të drejtohet në klinikën për sëmundje infektive, pasi ajo është një vatër e mundshme e infektimit të pacientëve të cilat kanë një sëmundje tjetër dhe kanë sistem imunitar të dobësuar”, tha Fadil Cana – infektolog.
Cana ndërkohë tha se numri i pacientëve të shëruar në klinikën e infektologjisë nga dita në ditë ndryshon. Sipas tij është një protokoll për lëshimin e pacientëve nga spitali. Siç shpjegoi, pas një shtrimi dy javor të pacientit, bëhet testimi i parë dhe nëse ai del negativ, ai rezultat duhet të konfirmohet edhe me testimin e dytë.
