Mbretërimi i Britanisë, Charles, deklaroi se Britania e Madhe dhe Gjermania janë të përgatitura të “mbështesin Evropën në rast të kërcënimit nga agresioni i mëtejshëm rus”.
Duke folur gjatë një banketi shtetëror në nder të presidentit gjerman, Frank-Walter Steinmeier, mbreti e lavdëroi marrëveshjen e përbashkët të mbrojtjes midis dy vendeve, duke e quajtur atë “një partneritet unik në zemër të NATO-s”, raporton Sky News.
Në fillim të vizitës së tij shtetërore tre-ditore, Steinmeier tha se dy vendet “punojnë së bashku për të promovuar sigurinë dhe mbrojtjen, krah për krah për një Evropë të lirë dhe të qetë… me mbështetje për Ukrainën”.
Kjo është vizita e parë shtetërore e liderit gjerman në Britaninë e Madhe pas 27 vjetësh, dhe rreth 160 të ftuar morën pjesë në banketin e zhvilluar në Sallën “Saint George” në Windsor, e rrethuar nga një pemë Krishtlindjeje e zbukuruar me 3.000 llamba.
Gjatë darkës, mbreti u shpreh me humor për dashurinë e përbashkët ndaj futbollit, duke thënë se “në fund, gjermanët fitojnë”.
Steinmeier dhe bashkëshortja e tij, Elke Budenbender, u pritën nga mbreti Charles dhe mbretëresha Camilla në Windsor.
Presidenti gjerman gjithashtu u takua me kryeministrin britanik, Keir Starmer, në një tryezë të rrumbullakët me liderë biznesi nga të dy vendet, si pjesë e një projekti për automjete elektrike me vlerë mbi 20 milion euro, i udhëhequr nga Mercedes, që do të krijojë 150 vende pune në Northamptonshire dhe Oxfordshire.
Në korrik, Gjermania dhe Britania e Madhe nënshkruan Marrëveshjen e Kensingtonit, dhe Starmer deklaroi se vendet “do të bashkëpunojnë edhe më ngushtë”.
Ai shtoi se marrëdhëniet midis dy vendeve janë në “pozicion shumë, shumë të fortë” dhe se partneriteti është kyç për çështje si Ukraina, migracioni, rritja ekonomike dhe tregtia.
Sot, Steinmeier do të vendosë lule mbi varrin e Mbretëreshës Elizabeth II në Kapelën “Saint George” në Windsor dhe më pas do të flasë para Parlamentit britanik.
