Mbjellja e besimit tek fëmijët. Krahas shkollës, të rinjtë e Vranishtës ndjekin edhe mësimet kishtare

TË FUNDIT

Fshati Vranisht i Strugës është ndër të vetmit që e ushqen fort besimin ortodoks edhe tek të rinjtë. Rreth 60 fëmijë, të moshave 5 deri në 15 vjeç, çdo javë i ndjekin shërbesat e kishës. Mësojnë dhe këndojnë këngët kishtare, studiojnë fenë, mësojnë Biblën, udhëtojnë nëpër kisha dhe manastire si dhe organizojnë aksione humanitare. Prifti dhe mësuesi bën një ndërthurje të edukimit fetar dhe procesit arsimor, për t’i rritur fëmijët të jenë të ndershëm, të respektojnë, të duan dhe të ndihmojnë.

” Krahas aktiviteteve kishtare, kemi edhe aktivitete të tjera edukative me punëtori të ndryshme dhe orë të edukimit fetar. Vizita e manastireve dhe kishave anembanë atdheut tonë dhe më gjerë. Dhe ne jemi shumë të lumtur sepse entuziazmi i të rinjve po rritet dita ditës dhe vetëm me kaq po rrisim dhe ndërtojmë një rini të shëndoshë”, tha prifti Riste Naumoski.

Të gjithë fëmijët këndojnë në korin e kishës, studiojnë, luajnë dhe shoqërohen.

“Gjatë shërbesës dëgjojmë lutjet dhe jashtë kishës luajmë dhe bëjmë miq”

“Gëzohem kur luajmë në oborrin e kishës dhe kur dëgjojmë shërbesat dhe këndojmë këngë brenda”.

“Kur vijmë në kishë është shumë bukur. Ne i dëgjojmë lutjet”

Besimi është thelbi i personalitetit njerëzor. Edukimi fetar është i nevojshëm për mirëkuptimin e ndërsjellë.

“Para dy vitesh me bekimin e babait filluam me disa aktivitete që i kemi dhe lavdi Zotit shpresojmë që do të vazhdojmë gjatë. Kemi dy aksione humanitare, njëri prej të cilëve është mbledhja e rrobave dimërore për të ndihmuar familjet e varfra”, tha Juliana Kiteska, mësuese në Vranisht.

Të mësosh besimin është ruajtja e vlerave të vërteta për të cilat duhet të përpiqemi të gjithë, thonë prindërit.

“Babai ynë përpiqet shumë që të gjithë fëmijët t’i prezantojë me fenë tonë, të jenë të krishterë ortodoksë, të njohin himnet dhe t’i japin kungimin”, tha një prind.

Edukimi fetar synon të inkurajojë nxënësit të sillen me përgjegjësi në shkollë, në familje dhe në jetë, për të zhvilluar një frymë tolerance dhe respekti për diversitetin mes njerëzve.