Mbi 2,5 milionë ukrainas kanë ikur nga vendi i tyre! Shumica prej tyre kanë gjetur strehim në vendet fqinje

TË FUNDIT

Darija Borovik është arkitekte e re dhe dizajnere urbanistike ukrainase. Kur filloi lufta në Ukrainë ndodhej në pushim në Greqi. Ajo menjëherë ka vendosur të kthehet në vendlindje që t’u ndihmojë bashkëkombësve të saj të cilët iknin nga shtëpitë e tyre. Tani, Borovik punon si vullnetare në një nga qendrat e pranimit në rajonin ndërkufitar në lindje mes Ukrainës dhe Hungarisë. 

“Po mundohem ta jap maksimumin për t’i akomoduar derisa kalojnë një periudhë tejet të vështirë në jetën e tyre. Nuk bëj dallim kur bëhet fjalë për programet qeveritare, vetëm përpiqem të bëj gjithçka që mund dhe t’u ofroj gjithçka që mund njerëzve të vijnë”, tha  Darija Dorovik, vullnetare nga Odesa, Ukrainë.

Hungaria, vend me rreth 10 milionë banorë, deri të premten pranoi rreth 225.000 refugjatë nga Ukraina. Qeveria hungareze, e cila ka zë kritik për imigracionin dhe refuzon të pranojë refugjatë që ikin nga konflikte nga vende siç janë Iraku dhe Siria, tha se do të ofrojë ndihmë për të gjithë qytetarët ukrainas dhe shtetasit e vendeve të treta, të cilët mund të dëshmojnë se kanë qenë banorë legalë të Ukrainës para fillimit të luftës.
Fqinji i parë i Ukrainës, Polonia deri më tani ka pranuar më shumë refugjatë. Mbi 1,5 milionë ukrainas kanë kërkuar strehim në këtë vend.

“Ne nuk u bëmë thirrje rusëve që të na shpëtojnë. Këtu nuk ka fare nazistë. Ne nuk i thirrëm rusët. Kishim jetë të bukur. Tani të gjithë janë të gatshëm të luftojnë, bile edhe pa armë“, theksoi Tatjana Lukash, refugjate nga Harkovi

“Erdhëm nga rajoni i Donjeckut. I shpëtuam fëmijët tanë dhe veten, sepse nuk dinim çka do të ndodhë në Ukrainë. Burrat dhe djemtë tanë qëndruan në shtëpi. Ne jemi këtu pa mbështetjen e burrave. Është e vështirë, duhet të shkojmë në Izrael, te nëna ime“, tha Ekaterina Hoxhallova, refugjate nga rajoni i Donjeckut.

Lufta në Ukrainë ka detyruar mbi 2,5 milionë njerëz të kërkojnë strehim në vende të tjera, për shkak të pushtimit rus që filloi më 24 shkurt. Shumica e tyre, u nisën drejt pjesës lindore të Bashkimit Evropian.